
Ish-ministri Muçi: Mënyra e arrestimit të Metës e turpshme!
Dritare.net
Ish-Ministri i Drejtësisë Shefqet Muçi i ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV komentoi arrestimin e Ilir Metës. Ai argumenton se përse mënyra e arrestimit të Metës ishte e turpshme edhe e frikshme.
“Unë nuk jam kundër përgjegjësisë penale. Meta duhet të përgjigjet, të hetohet. Por arrestimi për mua ishte i turpshëm dhe i frikshëm. I turpshëm sepse tregon se si trajtohet një ish-kryetar shteti në Shqipëri, që e tërheqin zvarrë njerëz me maska. Edhe i frikshëm sepse mund të ndodhë edhe për të tjerë më pas. Kjo tregon që ne jemi akoma primitive, nuk i kemi fituar akoma ato konceptet e drejtësisë. Format e arrestimit janë sipas personave. Ai ka qenë kryetar shteti. Mund ta thërrisnin në SPAK edhe t’i komunikonin vendimin, edhe i kërkojnë ta zbatojë. Policia mund t’i shkonte edhe në shtëpi, i lexonte vendimin e gjykatës edhe e shoqëronte në polici. Mund ta thërrisnin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ka forma të tjera. Mund ta arrestonin në rrugë nëse ishte duke ikur, por Meta ishte duke ardhur në Tiranë. Një shtet normal, me rregulla, me njerëz pa inate, e linin të bënte edhe atë takimin që kishte atë ditë, se është kryetar i një partie që është në Parlament.”, tha ish-ministri në DritareTV./K/C/dritare.net

















