
Meta rrëfen jetën në burg: Si i kam kaluar 34 ditët në qeli!
Dritare.net
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta po flet nga burgu ekskluzivisht për emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV. Meta tregon si ka qenë ky muaj për të në burg, bisedat me familjarët. Meta thotë se parametrat shëndetësore janë më të mira se kur ishte jashtë, kjo falë edhe një regjimi shumë të rregullt dhe një stërvitjeje rigoroze tre herë në ditë edhe pse në kushte të vështira.
Pjesë nga intervista!
Roland Qafoku: Zoti Meta, ka kaluar një muaj nga arrestimi juaj. Si kanë qenë këto ditë që nga 21 tetori e deri më sot? Si e keni përballuar të gjithë këtë situate tuajën?
Ilir Meta: Nuk ishte një situatë e papritur për mua, i cili jam i pari, që si President i Republikës i jam kundërvënë shndërrimit të Reformës në Drejtësi me 140 vota në një Ramaformë me 69 vota, siç ishte zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm apo betimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noteri te Lana. Nuk besoj se e keni harruar edhe mitingun madhështor të 2 Marsit 2020 në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht rezistencës time, kapja e plotë e sistemit të drejtësisë edhe pse u vonua pak në kohë u realizua plotësisht. Për këtë ndihmoi korruptimi i drejtuesve të opozitës, të cilët dogjën mandatet në shkurt 2019 duke i bërë Ramës dhuratën më të madhe për të kapur gjithë institucionet e pavarura në vend dhe 100% drejtësinë e re. Po kështu, edhe falja e të gjitha bashkive e me radhë. Kjo situatë është pasojë e asaj që e kam quajtur me konsistencë grusht shteti i shtrirë në kohë dhe i realizuar me shkelje Kushtetute, ligjesh, procedurash dhe duke përdorur një skuadër të përzgjedhur prokurorësh dhe gjyqtarësh të nënshtruar totalisht dhe pa asnjë integritet dhe përgjegjshmëri. Në fund të fundit, arrestime të urdhëruara nga tribuna e Kongresit të PS kanë ndodhur, si ndaj Z. Berisha edhe ndaj meje. Nga juntat pritet çdo gjë, por është e sigurt se ato nuk kanë të ardhme.
Roland Qafoku: Çfarë bisedash keni bërë gjatë kësaj kohe me tre fëmijët tuaj dhe me prindërit tuaj?
Ilir Meta: Bisedat tona janë të natyrës familjare dhe shëndetësore më shumë. Dua t’ju siguroj se parametrat shëndetësore janë më të mira se kur isha jashtë, kjo falë edhe një regjimi shumë të rregullt dhe një stërvitjeje rigoroze tre herë në ditë edhe pse në kushte të vështira./K.C/dritare.net

















