
Shkrimtarja: Me bashkëshortin u ndamë para 36 vitesh. Sot e kam bërë mik për hir të fëmijëve!
Dritare.net
Raimonda Moisiu, gazetare, shkrimtare, aktiviste shqiptaro-amerikane e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV përcolli mesazhe të rëndësishme për fenomenin e dhunës ndaj grave dhe rastin e tragjedisë së Shkodrës, ku nëna u hodh me tre fëmijët në lumë. Zonja Moisiu thotë se nuk justifikohet veprimi i gruas, pasi njeriu duhet të sakrifikojë çdo gjë për fëmijën, jo t’u marrë jetën. Unë thotë zonja Moisiu, kam lënë pas një martesë të dështuar, mora fëmijët dhe erdha në Amerikë. Ama për hir të fëmijëve, thotë gazetarja nuk e kam hedhur poshtë babanë e tyre, e kam bërë mik dhe e respektoj.
“Dhuna ndaj grave më ka shqetësuar shumë. Sidomos ajo tragjedia e Shkodrës më tronditi shumë. Unë nuk e justifikoj nënën, ajo nuk duhet ta kishte bërë atë veprim. Ajo mund të kishte edhe dhunë psikologjike, edhe dhunë fizike, por jo sa të arrinte deri në atë fazë sa të sakrifikonte fëmijët. Sepse fëmija nuk sakrifikohet. Ajo të gjente shumë mënyra të tjera, ka zgjidhje plot. Të gjithë kemi qenë në pozitat e saj, por nuk mund të hakmerremi te fëmija. Prindërit le të bëjnë çfarë të duan midis tyre, por fëmijën kurrë mos e lësho. Aq më tepër t’i mbysësh fëmijët.
Sa kemi hequr në jetë në të gjithë, çfarë të bëjmë, t’ua nxirrnim fëmijëve inatin? Jo. Ne duhet t’i marrim në mbrojtje fëmijët. Nuk më duket arsye ajo që thonë se i bëri dhunë psikologjike. Dhunë psikologjike çdo grua kalon, çdo ditë, çdo orë e çdo minutë. Qindra e mijëra gra në botë. Nuk mund të sakrifikosh fëmijët sepse pe burrin me dikë tjetër. E pe? Mundohu ta kalosh me vete, që fëmijët mos mbeten me kokë mënjanë. Mundohu t’u flasësh për mirë fëmijëve për babanë edhe vazhdo rrugën tënde. Unë këtë kam bërë me babanë e fëmijëve. Unë i kam respektuar njerëzit babait të fëmijëve të mi, sepse ishin rrënjët e fëmijëve të mi. Vajza e mori babanë e solli këtu në Amerikë, jeton në shtëpi më vete. Vjen në fundjavë këtu te djali dhe unë i bëj kafenë, tamam si një mik. Kur e mori vajza më pyeti nëse jam dakord që po e merr. Unë i thashë: "Patjetër, është babai juaj. Unë do ta respektojë. Këtu do e rregulloni ju, ku do rrijë ai!” Unë e ndihmova dhe për letrat, edhe kur vjen këtu e kam respektuar. Ha një drekë, darkë, fle, ikën. Unë e respektoj tamam si mik, si shok, babai i fëmijëve të mi. Njeriu ndonjëherë duhet të tolerojë, të bëjë më të mirë për fëmijët e tyre.Prandaj nuk e justifikoj veprimin që bëri Alma. Ajo nuk është e para. Këtu në Amerikë njerëzit ndahen edhe për luks. Krijojnë një martesë dhe prapë jetojnë bashkë, vetëm për prindërimin e fëmijëve.”, thotë zonja Moisiu në DritareTV./K.C/dritare.net

















