
Flutura Luke: Në komunizëm punonim me dinjitet. Sot ekonomistët nënvlerësohen!
Dritare.net
Flutura Luke me një eksperiencë mbi 30 vjet si eksperte kontabël, di ta bëjë mirë diferencën e profesionit të saj, në dy kohë të ndryshme. E ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, zonja Luke tha se në komunizëm, profesioni i ekonomistit dhe financierit vlerësohej së tepërmi.
“Dikur punonim me dinjitet. Shpërbleheshim për punën, në fund të vitit. Kur punoje me rendiment, ulje shpenzimet, nxirrje kosto të mirë, nxirrje fitime për shtetin, atëherë merrje shpërblime, kishe mundësi për rritje rroge. Kishe një derë ku të kërkoje dhe merrje një miratim.
Atëherë merrnim deri në dy paga në vit, por në sektorë të ndryshme merrnin edhe tre. Deri në vitet 2000 kështu ka ndodhur, pas këtyre viteve shpërblimet janë në dorë të pronarëve, që nuk e gjykojnë të arsyeshme që një pjesë e fitimeve u duhet dhënë edhe punonjësve sepse është punë e tyre. Por tani ekonomistët dëgjohen më pak dhe si pasojë janë drejtorët ata që vendosin”, u shpreh zonja Luke në Dritare TV./L.F-dritare.net

















