
Fenomeni i rrallë i flamingove në Pogradec, ja çfarë thotë ornitologu Taulant Bino!
Dritare.net
Liqeni i Pogradecit, u mbush dje nga flamingot, duke krijuar një pamje mbresëlënëse. Prania e tyre në liqene, është e rrallë, ndaj pasditja e djeshme në Pogradec, nuk ishte e zakonshme.
Ishin rreth 10 flamingo që zbukuruan liqenin, duke bërë që banorë e fotografë të regjistrojnë këtë moment spektakolar.
I pyetur nga Dritare.net për këtë fenomen jo të zakonshëm, Dr. Taulant Bino, nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, tha se flamingot janë parë edhe më herët në Liqenet e Ohrit dhe të Prespës, por sidoqoftë prania e tyre në liqene është një fenomen i rrallë.

"Flamingot parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur, të përberë nga gaforre të vogla, molusqe, alga, fara të bimëve ujore etj.

Flamingot janë vëzhguar dhe më herët në Liqenet e Ohrit dhe të Prespës. Të dhënat e para për praninë e tyre në Prespë vijnë që prej vitit 1998 kur një tufë prej 54 flamingosh u vrojtua nga unë në liqenin e Prespës së Madhe. Ndërsa në Ohër janë vrojtuar disa vite më parë si dhe në muajt e fundit".
Më tej ornitologu Bino, tregon se masat e marra nga shumë shtete, kanë dhënë rezultat pozitiv në shtimin e numrit të flamingove.
"Numri i tyre në basenin Mesdhetar është rritur për shkak të masave mbrojtëse në Francë, Spanjë dhe një mori vendesh të tjera mesdhetare ku kolonitë kanë njohur sukses të lartë. Për pasojë prania e tyre është më e dukshme, madje dhe në vende të çuditshme si liqenet e ëmbla e të thella kontinentale sikurse Ohri dhe Prespa".
Më tej, në lidhje me praninë e flamingove në Shqipëri, Bino tregon se numri i tyre është rritur gradualisht që prej vitit 1990, duke shkuar në disa mijëra.
"Në Shqipëri, numri i tyre ka filluar të shtohet gradualisht që prej viteve 1990. Sot gjenden me shumicë, në disa mijëra, në gjithë bregdetin shqiptar e veçanërisht në lagunën e Nartës, kriporen e Vlorës ose të Skrofotinës, lagunat e Divjakë-Karavastasë etj. Madje në Kriporen e Skrofotinës, flamingot kanë ndërtuar dhe fole por pa pasur sukses të mëtejshëm riprodhimi.
Pavarësisht shtimit të numrit, prania dhe sidomos fluturimi i flamingove ose thëne ndryshe i lejlekëve krahëkuq, mbetet gjithnjë spektakolare për shkak të ngjyrave të zjarrta prej të cilave kanë marrë dhe emrin", shprehet ornitologu Bino./Lorena Fjolla-Dritare.net

















