
Fatos Klosi i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për situatën e Ilir Metës dhe sulmet e vazhdueshme të kreut të PL-së ndaj SPAK-ut dhe Altin Dumanit. Zoti Klosi bën një krahasim të Metës sot dhe kohën kur ai punonte me të, kur Meta ishte kryeministër. Ilir Meta thotë Klosi, është tjetër njeri sot, dikur ka qenë serioz.
“Ilir Meta është tjetër njeri sot. Nuk ka qenë në këto pozita që unë e shoh çdo natë në televizion. Ai filloi t’i japë këto shenja që në Presidencë. Bëri një miting të madh në bulevard. Një president nuk i bën ato gjëra, aq më shumë një president në Shqipëri është ka më shumë një pozicion horonifik sepse ka pushtet. Mesa duket ka probleme me prokurorinë.
Meta ka qenë ngritës peshash. Një sport cikë i rëndë. Unë e kam pasur shef kur ishte kryeministër dhe unë isha kreu i SHISH-it, me atë komunikoja. Sepse detyra ime kjo ishte të mbaja lidhjet me qeverinë. Për mua ka qenë serioz. E kishte marrë me seriozisht atë punë dhe them se e bëri mirë pavarësisht se situata brenda PS-së ishte goxha e vështirë. Ai u ndërrua me Majkon. E kështu me radhë. Po na e thoshte shpesh kur ishim në LSI: “E mbani mend Kryeministrinë time?” Ishte serioz. Po të jepte një detyrë Iliri, harroje se mund të harronte, të kërkonte shumë llogari. Për mua ishte e rëndësishme se nuk e kishin bërë tjerët.
Gjuha e tij antiamerikane lidhet me situatën e sotme. Meqë amerikanët sajuan Reformën në Drejtësi për të cilën ai qe kundër që në fillim. Ata e miratuan dhe po e përkrahin fort Prokurorinë e Posaçme dhe gjyqësorin. Duket qartë që Reforma në Drejtësi më shumë është e mbështetur nga partnerët tanë sepse ata duan një aleat serioz.”, tha zoti Klosi në DritareTV./K.C/dritare.net

















