Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Eni Çobani: Dumani si Falkone! Do të bëjë historinë!

Eni Çobani: Dumani si Falkone! Do të bëjë historinë!

Juristja Eni Çobani e vlerësoi si të jashtëzakonshme punën e Altin Dumanit, në krye të Prokurorisë së Posaçme Antikrrupsion. Zonja Çobani tregoi se së pari zotin Dumani e ka njohur si student ekselent, ndërsa shtoi se SPAK është arritja më e madhe në sistemin e drejtësisë.

“Unë kam pasur fatin që ta kem student edhe Altinin. Ai ka qenë një nga studentët më të zellshëm. Student tepër i mirë, një profil i urtë. Nuk e mbaj mend, por jam e sigurt që ka dalë shkëlqyeshëm. Mbaj mend një djalë me një profil të urtë, shumë kërkues, të zellshëm, shumë i saktë në përgjigjet e tij dhe tepër korrekt në pjesëmarrje. Atëherë ka pasur universitet të vërtetë sepse nëse nuk merrje pjesë ne seminare dhe leksione, nuk futeshe dot në asnjë provim.

Sot që është prokurori i SPAK nuk përshëndetem, kjo për shkak të detyrës. Respektoj, deri në fund profilin, devotshmërinë dhe guximin e tij. E kam ndjekur raportimin e tij tek Komisioni i Ligjeve, ku shumë prej pyetjeve kanë qenë edhe provokative, por kam parë Altin Dumanin, si një djalë që nuk i trembej syri. E inkurajoj për devotshmërinë, ka një detyrë shumë të vështirë.

Altin Dumani nëse do të vazhdojë me këtë sinqeritet, guxim dhe devotshmëri, do të bëjë histori në Shqipëri.

Nuk ndihem mirë kur e sulmojnë. Ndihem keq po ashtu për mos respektimin e ligjit. Në këtë vend nëse nuk respektohet ligji dhe shteti, kjo shoqëri nuk ka për të qenë rehat kurrë. Ne nuk kemi të formësuar ende dëshirën, vullnetin, kundrejt shtetit dhe ligjit. Ofendimet ndaj Dumanit janë shumë të ulëta, por nuk tregojnë asgjë tjetër, veçse ky djalë po punon.

Po, Altin Dumani po punon. I pëlqen ose jo realitetit shqiptar. SPAK e ka frikësuar politikën shqiptare, kjo është arritja më e madhe në sistemin e drejtësisë. Kjo është reforma e vërtetë, që e kemi krijuar me vështirësi një trupë juristësh të drejtësisë, që ka vënë përballë një sistem shumë të vështirë politik të ndërtuar në 34 vite”, tha zonja Çobani./l.F-dritare.net