
Bylisi, krenaria ilire mbi Vjosë, po rilind si qendër zhvillimi dhe edukimi
Dritare.net
Nga maja e një kodre që sheh mbi lumin Vjosë, aty ku dikur pulsonte zemra e qytetërimit ilir, Bylisi po ringjallet. Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë park arkeologjik si “krenaria ilire mbi Vjosë”, ndërsa prezantoi projektin e transformimit të tij në një qendër moderne zhvillimi kulturor dhe edukimi historik.
"Bylis – Krenaria ilire mbi Vjosë
Një pasuri e rrallë arkeologjike, një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë, i vendosur mbi një kodër që mbikëqyr me madhështi luginën e Vjosës
Me mure monumentale të shek. IV p.e.s., një teatër mahnitës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane, Parku Arkeologjik i Bylisit është një muze i hapur nën qiellin mesdhetar që i flet historisë dhe të ardhmes njëkohësisht
Sot, falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, zbatuar nga AICS, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi:
restaurim profesional dhe mbrojtje e qëndrueshme,
përmirësim i infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët,
mbështetje për komunitetin në turizëm dhe artizanat,
programe edukimi për brezat e rinj.
Një bashkëpunim mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, AICS, Delegacionit të BE-së, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutit të Arkeologjisë – për ta kthyer trashëgiminë tonë kulturore në një motor zhvillimi të qëndrueshëm dhe krenarie kombëtare.", shkroi kryeministri në Facebook.
Qyteti antik i themeluar në shekullin IV p.e.s. ruan ende muret monumentale, teatrin antik, mozaikët e mrekullueshëm dhe bazilikat paleokristiane që dëshmojnë për lavdinë e dikurshme. Ky projekt synon jo vetëm restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe kthimin e Bylisit në një pikë referimi për turizmin kulturor dhe për brezat e rinj që duan të prekin nga afër rrënjët e identitetit shqiptar.
Bylisi nuk është thjesht një park arkeologjik. Është një shkollë e hapur historie. Një vend ku lashtësia flet dhe e ardhmja mëson./dritare.net

















