Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Brenda tuneleve sekrete të Dajtit!

Brenda tuneleve sekrete të Dajtit!

Në zonën e Dajtit, një vend që dikur ishte i ndaluar dhe i mbushur me sekrete ushtarake. Sot, duket e qetë dhe e banuar, por nën sipërfaqe fshihet një rrjet tunelesh që dikur kishte një rol jetik për ushtrinë shqiptare.

Për herë të parë, Dritare TV ka vizituar tunelin sekret të qendrës së ndërlidhjes në Dajt, ku dikur ushtria shqiptare mbante nën kontroll komunikimin ushtarak gjatë Luftës së Ftohtë.

Për të zbuluar historinë e këtyre tuneleve, Pavli Dako, ish-radist i qendrës së ndërlidhjes, rrëfen për Dritare TV detaje nga funksionimi i saj dhe jetesën brenda këtyre tuneleve sekrete.

“Jo, sot është krejt e lirë rruga,” thotë Pavli, ndërsa na tregon hyrjen e tuneleve që dikur ishin të aksesueshme vetëm për pak veta.

Kjo qendër ndërlidhjeje, e ndërtuar në vitin 1974 dhe e plotësuar me pajisje të fuqishme pas vitit 1980, ka qenë një pikë kyçe e komunikimit ushtarak të Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë.
Pavli shprehet me keqardhje për gjendjen e saj sot: “Shumë. Sinqerisht më vjen shumë keq. Kjo ka qenë një qendër tepër sekrete, që pak veta e dinin dhe e njihnin. Çdo gjë këtu ka qenë sekrete.”

Në tunelin e parë të qendrës, Pavli tregon se dikur ndodheshin fjetoret e ushtarëve, klasat e mësimit dhe sallat e stërvitjes. Në vitin e parë dhe të dytë të shërbimit, rreth 60 ushtarë flinin dhe stërviteshin brenda tuneleve. Çdo gjë ishte e organizuar për funksionim në rast lufte, ndërsa në kohë paqeje bëhej stërvitje, mirëmbajtje dhe gatishmëri.

“Unë kam shërbyer këtu për dy vjet. Kam fjetur e jetuar brenda në këto tunele,” rrëfen Pavli. Ai tregon edhe për sistemet teknike të kohës: kanale për shkarkimin e ujërave, ventilim për të mbajtur ajrin të pastër dhe temperatura të favorshme brenda – freskët në verë dhe ngrohtë në dimër.

Edhe pse sot zona është e shkatërruar dhe e mbuluar me mbeturina, dikur ishte zemra e komunikimit ushtarak të Shqipërisë. Provat e ndërlidhjes kryheshin dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, për të siguruar që sistemi funksiononte. Komunikimi bëhej me kod telegrafik dhe sinjale që vetëm radistët e trajnuar i kuptonin.

Kapaciteti i qendrës ishte jashtëzakonisht i madh për kohën me dhjetëra dhënës dhe marrës që lidhnin divizionet në të gjithë vendin. Në rast lufte, këtu do të vendosej komanda e Ministrisë së Mbrojtjes, ku zyrtarët do të flinin, hanin dhe komandonin nga kjo qendër. Bunkeri i madh pranë Tiranës ishte dedikuar anëtarëve të Byrosë Politike.

Zona ishte tejet e mbrojtur dhe sekrete. Askush nuk lejohej të kalonte përveç ushtarakëve të autorizuar. Kodrat përreth ishin të mbushura me antena, ndërsa poshtë ndodheshin depot e armatimit, repartet e ministrive dhe shkollat e specializuara.

Shqipëria mori modelin fillimisht nga Rusia, më pas nga Kina. Në vitin 1962, një delegacion sekret ushtarak shkoi në Kinë me pasaporta false për të siguruar pajisjet dhe teknologjinë e ndërlidhjes. Aparaturat e ardhura shërbyen për funksionimin e kësaj qendre, që do të mbante lidhjen operative të gjithë ushtrisë shqiptare.

Sot, edhe pse tunelet janë të rrënuara, gjurmët e së shkuarës flasin qartë për rëndësinë historike dhe strategjike të kësaj qendre. Vizita brenda tyre ofron një mundësi të veçantë për të kuptuar se si funksiononte një nga pikat më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare gjatë Luftës së Ftohtë dhe për të ndjerë misterin që mbante një vend që dikur ishte i padukshëm për syrin e zakonshëm.

"Doja të sillja grupin e Dritare TV të zbulonte këtë vend, edhe për t’ju treguar atyre që janë të rinj dhe nuk e dinë, kush kemi qenë ne, por edhe si mesazh për të ardhmen. Duhet të bëjmë kujdes,” – kështu e mbyll Pavli Dako, radisti shqiptar i Luftës së Ftohtë, rrëfimin e jashtëzakonshëm për Dritare TV, televizionin e rrëfimeve të rralla./E.P-dritare.net