
Bashkim Shehu, një rrëfim për librin e ri “Merimanga dhe Pasvdekja”!
Dritare.net
Shkrimtari i mirënjohur Bashkim Shehu prezanton nesër në Librari Babel te Piramida librin e tij më të ri botuar nga Shtëpia Botuese "Dudaj". Libri titullohet “Merimanga dhe Pasvdekja”. Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip në DritareTV, shkrimtari flet për herë të parë për librin e ri.
Zoti Shehu shprehet:
“Është tregimi i Borhesit, të cilin Bernardo Bertoluçi e ka shndërruar në vepër kinematografike. Pastaj unë i kam bërë një letrarizim të lirë filmit të Bertoluçit që ka brenda tregimin e Borhesit. Ajo ka paralele me ngjarje reale në historinë e Shqipërisë, të cilat i kam përfshirë në libër. Janë histori të Ramize Gjebresë dhe Mustafa Gjinishtit, që kanë ndodhur para se unë të lindja. Vetvetiu në këtë libër kanë dalë përvojat, ndjesitë që kam pasur.
Me personazhin kryesor nuk kam synuar të nxjerr veten, por padashur kanë dalë dhe gjëra të miat. Letërsia nuk pasqyron realitetin, por e merr realitetin si një pretekst për të bërë një parodi të realitetit. Letërsia është kërkimi i misterit të shpirtit njerëzor dhe qenies si të tillë. Misteri nuk gjendet asnjëherë që ta shprehim me fjalë, por në një fare mënyre përjetohet.”, tregon Bashkim Shehu në DritareTV./K.C.dritare.net

















