
Avokati Idajet Beqiri: Pse nuk duhej arrestuar Vangjush Dako!
Dritare.net
Avokati i njohur Idajet Beqiri i ftuar në emisionin "Shqip" nga Dritan Hila në DritareTv renditi disa arsye se përse SPAK-u nuk duhet të kishte dhënë masën e sigurisë arrest me burg për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon.
“Kur jepet masa e arrestit me burg? Masa e arrestit me burg është masë e jashtëzakonshme. Jepet vetëm në raste shume të rralla. Kurse ne të jashtëzakonshmen e kemi bërë të zakonshme. Në botë në 15-20% të këtyre krimeve jepet masa arrest me burg, ndërsa në Shqipëri e kemi 92%. Vend më represim dhe më i çmendur në dhënien e masës arrest me burg nuk mund të gjesh në rruzullin tokësor. Sepse ne zgjedhim rrugën me të lehtë, për të justifikuar korrupsionin që bëhet në drejtësi.
Pse mendoj që nuk duhej dhënë masa arrest me burg për Vangjush Dakon?
Dako rrezikshmëri për të ikur nuk kishte, provat nuk kishte si t’i zhdukte sepse ishin dosjet në prokurori si të tenderit, si për lejen e ndërtimit të pallatit. Për këtë shkak nuk duhej dhënë masa e sigurisë arrest me burg për Dakon. Nuk duhej dhënë edhe për një aspekt tjetër. Kemi të bëjmë me një njeri që nuk kryen më vepra penale. Kjo masë jepet ndaj një personi që po ta lësh jashtë mund të bëjë një gjë më të rëndë dhe pastaj me arrestimin e izolon. Ky veprim u bë vetëm për të rënduar buxhetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga një anë thua që ai ka dëmtuar me shpërdorimin e detyrës, nga ana tjetër harxhon 100 euro nata për ta mbajtur në burg. Aq është shpenzimi për një të burgosur. Po lërë të lirë dhe thirre sa herë të të duhet.”, u shpreh Beqiri në DritareTv./K.C/dritare.net

















