Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Shteti i Kosovës merr nën kujdes gurin e Nanës Pashkës, dërgohet në Mejë

Shteti i Kosovës merr nën kujdes gurin e Nanës Pashkës,

Guri përkujtimor i Pashke Markut - nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të djemve të saj të vrarë e të djegur nga kriminelët serbë – është dërguar në Kompleksin Memorial “27 Prilli” në Mejë të Gjakovës, pak pasi u hodh në mbeturina.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Kulturës dhe familjarët e nënës Pashke.

Në raportin që Imer Hakaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, i ka dërguar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, thuhet se me të pranuar lajmin për largimin e gurit të Pashke Markut, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në pajtim me Prokurorinë dhe se, bashkë me zyrtarët e AMMKM-së janë pajtuar për “bartjen/lëvizjen e përkohshme të gurit në Memorialin ’27 Prilli në Mejë – Gjakovë nën menaxhimin e AMMKM-së”.

Në këtë raportim thuhet se ekipi i AMMKM-së ka dalë në terren më 25 korrik për t’i kryer matjet e nevojshme dhe piketimin e gurit.

“Me matjet e siguruara, ekipi i AMMKM-së, ka hartuar skicën e projektit me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të këtij monumenti. AMMKM, do të sigurohet që konform me ligjin do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ofrimin e zgjidhjes së duhur duke ruajtur vlerat shpirtërore, historike. Drejtori i AMMKM-së pas pranimit të raportit zyrtar nga zyrtarët përgjegjës të këtij institucioni, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore në koordinim dhe me bashkëpunim me institucionet e Trashëgimisë Kulturore – Qendra Rajonale për Trashëgiminë Kulturore – Gjakovë dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) – Prishtinë, në mbështetje të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, thuhet në raport./K.C/dritare.net