
Shtetet e Quintit thirrje Kosovës: Jepini prioritet situatës së koronavirusit!
Dritare.net
Përmes një deklarate të përbashkët, shtetet e Quintit u kanë bërë thirrje institucioneve dhe liderëve të Kosovës që prioritet në këtë periudhë t’i jepet betejës me koronavirusin, duke respektuar dispozitat e Kushtetutës dhe kompetencat që iu sigurohen atyre me të.
Në njoftimin në Facebook të Ambasadës britanike në Prishtinë është shpërndarë deklarata e përbashkët e ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.
“Në këtë periudhë të vështirë, i thërrasim të gjithë liderët institucionalë dhe politikë që të fokusohen tek COVID-19, duke respektuar dispozitat e Kushtetutës dhe kompetencat që iu sigurohen atyre përmes Kushtetutës”.
Thirrje e përbashkët e këtyre shteteve është edhe ruajtja dhe sigurimi i integritetit dhe funksionalitetit të Qeverisë së Kosovës dhe “institucioneve në këtë periudhë kritike, duke i dhënë prioritet luftës kundër COVID-19 karshi politikës”./E.B-dritare.net

















