Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Foto/ "Nëntori i Dytë", filmi që s'vdes kurrë

Foto/ "Nëntori i Dytë", filmi që s'vdes kurrë
Shqiptarët anembanë botës festojnë sot 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësisht copëzimit të trojeve shqiptare në 1914, shqiptarët janë të vetëdijshëm për të shkuarën e tyre të përbashkët dhe të atyre ditëve kur të parët tanë punonin sëbashku  për një atdhe të lirë dhe të pavarur.

Për të ngulitur këtë vetëdije, një rol të rëndësishëm kanë luajtur përveç historisë, librave, shkrimeve edhe kinematografia. Një ndër filmat përfaqësues të kësaj dite, është “Nëntori i Dytë”, filmi që tregon historinë e ngritjes së flamurit në Vlorë.

Nën interpretimin e shkëlqyer të aktorëve Aleksandër Prosi, Bujar Lako, Reshat Arbana, Viktor Zhusti, Mario Ashiku, Robert Ndrenika, Guliem Radoja dhe regjinë e Viktor Gjikës, “Nëntori i Dytë”, është një përkujtim për të gjithë ata që u përpoqën dhe ia arritën të na lënë pas një shtet. Nën tingujt drithërues të muzikës së kompozitorit të njohur, Kujtim Laro, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, filmi sjell një kohë e një histori tjetër, sa të lavdishme aq edhe të papërsëritshme.

“Nëntori i Dytë”, është pa dyshim filmi më i ndjekur, më i pëlqyer dhe ndoshta filmi që nuk do të dalë kurrë nga ekranet e televizioneve dhe kinemave shqiptare. Ai është filmi që ndodhet në zemrat e çdo shqiptari dhe që e përjeton po aq bukur sa edhe është interpretuar nga gjigandët e kinematografisë shqiptare. Ne po ju sjellim disa video dhe foto të shkëputur nga ky film, duke iu uruar Gëzuar Festat dhe jetofshim gjithmonë në paqe në atdheun tonë, të lirë dhe të pavarur./L.P./Dritare.net