
Ekskluzive/ Enisa nga Nju Jorku, një shqiptare superstar
Dritare.net

Teksa e dëgjon të këndojë, mendon se ka ndjekur shkollë muzike prej kohësh, por jo, talenti i të kënduarit është dhuntia e saj. 20 vjeçarja studion për Administrim Biznesi, por ëndrra e saj është të jetë një artiste e madhe.
Emri i saj u bë i njohur për të gjithë nëpërmjet disa cover-ave të këngëve të njohura që Enisa i publikonte në Instagram dhe kanalin e vet në YouTube. Menjëherë tërhoqi vëmendje dhe u cilësua si një këngëtare me stil, me një zë potent që të imponohet dhe që të kujton të famshmen Amy Whinehouse. Enisa u vlerësua nga disa producentë shumë të njohur në Nju Jork, me të cilët ka nisur të punojë seriozisht, pas suksesit në rrjetet sociale, ku ndjekësit e saj janë të shumtë.
Fama e këngëtares së të ardhmes ka ardhur nga Nju Jorku edhe në Tiranë. 20 vjeçarja shqiptare ka gjetur shumë admirues të muzikës së saj, në tokën e origjinës. Shumë artistë shqiptarë, si Irma Libohova, Besa Kokëdhima, Orinda Huta, Amarda Toska, Julian Deda etj., kanë ndarë në rrjetet e tyre sociale, video të Enisës, duke i dhënë kurajë yllit të ri shqiptar drejt rrugës e vështirë të muzikës dhe suksesit.
Nëpërmjet kësaj interviste ekskluzive, për dritare.net, Enisa i falënderon të gjithë dhe tregon e mallëngjyer se nuk e priste një mbështetje kaq të madhe dhe kjo gjë e bëri të ndjehet më tepër krenare që është shqiptare.
Enisa tregon për dritare.net, për ëndrrën e saj, për suksesin e këngës së parë “Burn This Bridge”, i cili gjendet në disa platforma muzikore, përfshirë iTunes dhe Spotify, dhe projektet e ardhshme që pret të realizojë.
Është e ndërgjegjshme që rruga për të qenë një superstar është e vështirë, por Enisa është e vendosur për t’ia dalë mbanë dhe shpreson që një ditë të mundet të prezantojë shqiptarët me një imazh të respektueshëm në të gjithë botën.
Lexoni intervistën e plotë të Enisës, një yll që pritet të shkëlqejë në industrinë e muzikës ndërkombëtare, dhënë në Nju Jork, gazetares Kozeta Turishta./dritare.net
Enisa Nikaj: Kam gjak shqiptar dhe do ju bëj krenarë!
Nga Kozeta Turishta, Nju Jork
Dritare.net- Enisa, së fundi ke pasur një mbështetje me dashuri të madhe nga shumë artistë shqiptarë, të cilët kanë shpërndarë videot e tua duke kënduar. Si e ke pritur?
Enisa Nikaj- Jam ndjerë shumë e lumtur për mbështetjen që më kanë dhënë gjithë këta artistë të mrekullueshëm. U gëzova pafund që ata vlerësuan talentin tim dhe e ndanë me fansat e tyre, kjo më bëri të ndjehem shumë krenare që jam shqiptare. Nuk e prisja këtë gjë dhe ishte një surprizë shumë e këndshme.
Dritare.net- Ti ke lindur në Amerikë, por nuk e mohon kurrë origjinën tënde apo jo?
Po, unë kam lindur e jam rritur në Brooklyn, NYC, por unë jam 100% shqiptare. Mamaja dhe babai im janë të dy nga Mali i Zi. Unë nuk do ta mohoj asnjëherë origjinën time dhe jam shumë krenare që kam gjak shqiptari dhe gjithmonë do të përfaqësoj shqiptarët.
Dritare.net- Deri tani ke nxjerrë këngën e parë “Burn This Bridge” e cila ka marrë shumë klikime. Kur do të jetë kënga, apo videoklipi i radhës?
“Burn This Bridge”, ishte kënga e parë që unë krijova për t’i prezantuar botës veten si këngëtare dhe tekstshkruese, kjo gjë më ndihmoi shumë. Në fund të këtij muaji unë do të nxjerr këngën time të re të quajtur “Glory Days”. Pas saj, mendoj të publikoj këngë të tjera.
Dritare.net- Si ka lindur pasioni për muzikën tek Enisa?
Që kur isha fëmijë, unë e pëlqeja shumë muzikën. Por, momenti që rashë në dashuri ishte gjatë shkollës fillore, ku nisa të merrja pjesë në muzikale, shfaqje teatrale dhe në korin e shkollës. Më pas, në shkollë të mesme, këndoja në një grup rroku dhe ne performonim për qindra njerëz gjatë koncerteve në shkollë. Këtu kuptova kjo ishte ajo që unë doja të bëja gjatë gjithë jetës sime, të isha një artiste e të krijoja muzikë.
Dritare.net- Si e mendon të ardhmen tënde muzikore, ku e sheh veten dhe çfarë synon?
Shpresoj të jem një artiste e cila prek zemrat e miliona njerëzve në të gjithë botën. Dua që muzika ime të bëjë njerëzit të ndjejnë emocione nga më të ndryshmet dhe t’i ndihmojë gjatë kohërave të vështira që kalojnë. Të udhëtoj botën me turne, të luaj në festivale të mëdha, koncerte në stadiume, të bashkëpunoj me artistët e mi të preferuar, të fitoj një Grammy. Këto janë ëndrrat më të mëdha që unë kam dhe shpresoj që një ditë të realizohen.
Dritare.net- Ke arritur të fitosh zemrat e të gjithë shqiptarëve anembanë, po amerikanët çfarë vlerësimi japin për zërin tënd?
Kam marrë mbështetje të madhe nga amerikanët, veçanërisht për “Burn This Bridge”, në aplikacionin Musically, ku mbi 100,000 fëmijë, adoleshentë, por edhe të rritur nga e gjithë bota bëjnë video me këngën time. Mbështetja e tyre bëri që “Burn This Bridge” të renditej e 45 në iTunes. Kam marr mbështetje shumë të madhe si nga amerikanët, ashtu edhe nga shqiptarët.
Dritare.net- Sa herë ke qenë në Shqipëri dhe çfarë të ka pëlqyer më shumë?
Shkoj në Mal të Zi pothuajse çdo verë, për të vizituar gjyshërit e mi dhe familjen që jeton atje. Në Shqipëri kam qenë vetëm një herë dhe kam vizituar Shkodrën. Por, po planifikoj të vizitoj vende të tjera në Shqipëri dhe Kosovë.
Dritare.net- E njeh muzikën shqipe?
Po, më pëlqen shumë.
Dritare.net- Cili artist, apo këngëtar shqiptar është i preferuari yt?
Mendoj se Sabri Fejzullahu është një legjendë, e adhuroj muzikën dhe zërin e tij. Ndërkohë, për sa i përket artistëve modernë shqiptarë, më pëlqen shumë muzika e Majk, është një artist shumë i mirë, i cili vendos shumë emocione në muzikën e vet.
Dritare.net- Nga dita në ditë po bëhesh një yll që premton sukses të padiskutueshëm në skenën ndërkombëtare muzikore. Si ndihesh për këtë fakt, e thua gjithmonë që je nga shqiptare?
Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe dua që njerëzit ta marrin vesh këtë gjë, kudo që unë shkoj. Shpresoj që të mundem ta përfaqësoj shqiptarët në mënyrën më të mirë, që njerëzit të thonë vetëm gjëra të mira për njerëzit tanë dhe kulturën tonë.
Dritare.net- A ka një vend këtu në Amerikë, ku Enisa këndon që fansat e tu të kenë mundësi të të ndjekin dhe live?
Do të filloj të këndoj live në muajt e ardhshëm, fillimisht dua të nxjerr më shumë këngë. Gjatë viteve të fundit, kam qenë në studio duke shkruar dhe ky ishte fokusi kryesor. Por, së shpejti do të filloj shfaqjet në të gjithë NYC. Dua që një ditë të bëj një koncert të madh në Shqipëri.
Dritare.net- Çfarë do u thuash shqiptareve, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri që me krenari mbështesin artin tënd?
Shpresoj që të bëhem një artiste e madhe dhe t’i bëj shqiptarët të ndjehen krenarë, duke i përfaqësuar në mënyrën më të mirë, kudo që shkoj. E vlerësoj shumë gjithë mbështetjen nga njerëzit e mi dhe uroj të vazhdojnë ta mbështesin muzikën time përgjatë viteve. Ju dua shumë!/dritare.net

















