
Rudina Xhunga: Shqipëria nuk i di krimet serbe në Kosovë!
Dritare.net
Ndërsa Kosova është përballë një marrëveshjeje mjaft të rëndësishme për fatin e saj, gjithnjë e më shumë po dëgjojmë të flasin gazetarët. Në rubrikën Komenti i Ditës në Dritare TV gazetarja Rudina Xhunga, tha se tani më shumë se kurrë, është koha të flasin diplomatët apo historianët, ata që njohin historinë, e mund të ndikojnë që Kosovën, ta presë më e mira.
“Historia është e vetmja mënyrë për t’u informuar për të kaluarën, për të kuptuar kush je, nga vjen dhe ku do të shkosh. Ajo që po ndodh tani në Kosovë, ndërsa po paragjykohet si tradhtar Albin Kurti, ndërsa po flitet për mundësinë e një nënshkrimi të një marrëveshjeje me serbët, pa e bërë nuk do të ketë mundësi të ecet përpara, ka të bëjë pikërisht me historinë, me leximin e historisë. Po mundohet që kjo histori të kapërcehet, pa u ballafaquar.
Kjo për shkak se jemi para një Lufte të Tretë Botërore. Kjo po thuhet por ne nuk kemi veshë ta dëgjojmë. Ata që kujdesen për botën, duan që të shuhet çdo vatër zjarri. Të ketë hi dhe jo shkëndija të cilat mund të marrin flakë ndërsa lufta mund të jetë në prag. Por për këtë temë jam racionale. Ata që duhet të flasin tani, janë ata që e kanë vuajtur, ata që i përkasin atij vendi. Ne duhet të jemi dëgjues të mirë për çfarë ndodh në Kosovë. Ne dimë pak Kosovën, sikurse atje dinë pak për periudhën e komunizmit në Shqipëri. Ne dimë pak për njëri-tjetrin, për historinë tonë.
Për të njohur njëri-tjetrin, duhet së pari ta dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin, pastaj ta kuptojmë, e më tej të flasim. Por në Shqipëri ka shumë emisione me njerëz nga Kosova që zgjedhim t’i dëgjojmë, të cilët duket sikur i dinë të gjitha dhe na i shpjegojnë të gjitha. E mira është që të hapim më shumë veshët dhe zemrën e më pas gojën.
Pa folur drejtësia, nuk mund të ketë paqe në Kosovë. Pasi të dimë se çfarë ka ndodhur, kemi mundësinë të mos kthehemi më kurrë pas. Por këtë do ta bëjnë njerëzit në Kosovë. Ne nuk e bëjmë dot. Ne jemi të largët, të ftohtë.
Së paku na duhet një modesti njerëzore mes njëri-tjetrit, pastaj një empati, një njohje më e mirë e historisë, krijimi i pikëtakimeve më të mëdha me njëri-tjetrin për të folur e për t’u njohur.
të pretendojmë të njohim historinë e Kosovës?!
Është e thjeshtë që sot t’i thuash Albin Kurtit sot tradhtar. Por albini nuk vjen në këtë post si kryeministër në pozitat e një njeriu që ka bërë kompromise. Ai vjen nga pozitat e një njeriu që nuk ka bërë kompromise. Po t’i kishte bërë, nuk do të ishte burgjeve. Ai i ka provuar të gjitha llojet e burgjeve.
Sot ndodhemi në një udhëkryq ku gjithsecili mund të japë opinionin e tij, duke u nisur nga faktet historike dhe dashamirësia. Sepse nëse bëhet me urrejtje, nuk ndihmojmë askënd.
Marrëveshja për planin franko-gjerman, mund të na çojë përpara ose mund të na kthejë pas. Humbet durimi dhe ne nuk e dimë si mund të vazhdojmë. Ata që e dinë, ata që kanë mësime të historisë apo diplomacisë, janë të thirrur tani në skenë, të japin mend. Të tjerët, duhet të heshtin, ose të paktën të bëjnë pyetje”, u shpreh gazetarja Xhunga në Dritare TV./L.F-dritare.net

















