Na ndiqni edhe në

Editorial

Një këshillë për ndjekësit e Berishës!

Një këshillë për ndjekësit e Berishës!

Nga Dritan Hila

Ka një sinqeritet naiv në shprehjet e opozitarëve të thjeshtë, çka ishte edhe shkaku kryesor i humbjes. Shprehja e famshme “mbetëm 12 vjet në opozitë”, tregon që gjithë ndjekësit e Berishës nuk e kishin mendjen as tek programi as tek reformat e as tek anëtarësimi në BE. Sikurse ndjekësit e Ramës e kishin të qartë që humbja e tyre do të thoshte pushime nga puna. E sikurse të pavarurit, nuk kishin ndonjë iluzion se programi i Berishës nuk ishte asgjë më shumë sesa të ikë Lena se do vijë Prenda. Kurse të gjithë së bashku, as e kishin mendjen tek përrallat e 1001 netëve që tregonte Berisha, por ishin të qartë që rrëfenjat për të xhumanë pushim që të falen myslimanët, rrogat 1000€, pensionet 400€, do treteshin me diellin e majit. E këtë e dinte mirë Rama.

Tani që do bëhen edhe katër vite të tjera në opozitë, është e mira që të bëjnë një ndryshim kursi. Në punëra të qeverisë nuk do hyjnë dot pasi Rama ia ka vënë syrin mandatit të pestë. Ata që mund ta frenojnë Ramën sapo kanë hequr panolinat, kurse Berisha që tani po vesh panoline, nuk ka sy për Qabe.

Është e mira që ndjekësit e Berishës të fillojnë të mendojnë për sipërmarrje private. Të punësohen diku në privat, të hapin një biznes privat apo të shohin një mundësi që nuk ka lidhje me shtetin dhe punësimin aty. Berisha vetë tashmë e ka ndërmarrjen e tij private që quhet PD dhe është bajagi rentabël. Me siguri edhe këto katër vite të tjera nuk do jetë me bilanc negativ. Të jesh kryetar i opozitës është pozicioni më komod pasi shqelmat i ha qeveria kurse shefi opozitës merr vetëm qarin. Nuk vlen e njëjta gjë për militantët, ndaj një këshillë tepër miqësore është t’i bëjnë derman vetes.

Rama tashmë nuk ka më lidhje me votën për faktin e thjeshtë se nuk ka kush ia merr edhe për ca kohë. Përndryshe në orën 12 kanë emisionin “Përralla e mesditës nga Gjysh Saliu”, që tregon sesi do bëhen zgjedhje pas një viti, pas dy, pas tre, dhe ia se u bënë katër”./dritare.net