Na ndiqni edhe në

Editorial

Dritan Hila: Çfarë u mësoi shqiptarëve lufta në Ukrainë!

Dritan Hila: Çfarë u mësoi shqiptarëve lufta në

Në rubrikën “Komenti i ditës” në Dritare Tv gazetari Dritan Hila komentoi për luftën në Ukrainë dhe cfarë mësuan shqiptarët nga kjo ngjarje.

"Jemi një vit e pak nga lufta në Ukrainë dhe vazhdon me një ritëm të grirjes së mishit njerëzor në mënyrë industriale dhe herë-herë më e qetë bazuar në kushtet klimaterike të fronteve të luftës. Një vit para kishte një lloj bilanci dhe entuziazmi. Atëherë shumë vetë këshillonin shqiptarët që të shkonin vullnetarë në luftë, që të gjendeshin krahë Ukrainës dhe pse Ukraina nuk e njeh dhe nuk ishte dashamirëse e Kosovës. Madje dhe sot që flasim Ukraina nuk ishte dashamirëse e Kosovës, po ashtu dhe Rusia. Çfarë vlere kishte për ne që të shkonim dhe të linim kockat në Ukrainë, më keq se në periudhën e Perandorisë Otomane. Këtë entuziazëm nuk e pati asnjë vend tjetër, as vendet ortodokse si Greqia, Bullgaria që janë vende që i bashkon jo vetëm raca, por edhe feja. Përpara një viti ushtria ruse pasi dështoi që të merrte Aeroportin e Kievit, u bllokua në një kolonë 60 km e gjatë por që më vonë u kuptua që ishte një aksion diversiv mbi Kievin dhe ndërkohë në jug zhvilloheshin luftëra për marrjen e territoreve të reja. Sot që flasim Rusia ka marrë 20% të territoreve të Ukrainës, herë duke marrë qytete të mëdha dhe herë duke i lëshuar si rasti i Kersonit. Po zhvillohet beteja për marrjen e Bahmutit dhe janë zhvilluar dhe beteja të tjera të përgjakshme si rasti i Mariupolit dhe Azovstal, një betejë e zhvilluar shtëpi më shtëpi dhe tunel më tunel në strehimet e nëndheshme të Azovstalit, ku flitet për një bilanc 100-150 mijë ushtarëve të nxjerrë jashtë luftimit nga secili krah, pra jo vetëm ushtarë të vrarë por dhe të plagosur dhe të gjymtuar nga lufta. Ishte një betejë që nuk ishte parë në truallin e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Madje dhe Rusia nuk i kishte parë këto humbje që nga lufta e Afganistanit.

Ajo çfarë kemi parë është se Evropa është bërë më tepër monolite, rreth SHBA-së, NATO u rijetësua nga një organizatë që ishte në prag të shpërbërjes dhe përveç kësaj shtete të fuqishme ushtarakisht si Suedia dhe Finlanda kërkojnë të bëhen pjesë e NATO-s. Ne pamë që në këtë luftë Rusia ka filluar të shihet jo më me dyshim por me armiqësi nga shtetet evropiane për ndihmën që i jepte Serbisë. Kjo bëri që SHBA-së t'i vinin dhe njëherë në radhë dhe të shikonin me dyshim Serbinë dhe herë-herë me armiqësi. Kjo rriti rolin e vendeve që janë besnike të Perëndimit, kundër tyre vihemi dhe ne, dhe të vihen në luftë që ka një lloj qasje me Rusinë për shkak të qenies së tyre sllave. Mësuam nga kjo luftë që duhet të përgatitemi dhe vetë për luftë. Parulla që kemi NATO-n nuk vlen. Nëse nuk përgatitesh dhe t’u bësh ballë agresionit të fuqivd të huaja dhe NATO-ja e ka të vështirë të vijë në ndihmë. Duhet të kuptojmë që kur ne besojmë te mbrojtja e NATO-s duhet të kemi dhe dyshime sepse, një amerikan si ushtri imperialiste, perandorake që janë mësuar të luftojnë në të gjitha terrenet, kontekstet e luftës, vendet e tjera e kanë të vështirë të lënë kockat për ty. Është njësoj sikur t'i thuash një spanjolli që vërtet katalanët kërkojnë shkëputjen nga ju, siç Kosova e ka kërkuar shkëputjen nga Serbia, por ju duhet të luftoni për Kosovën dhe për shqiptarët. Kështu që janë dy faktorë që do vlejnë: së pari do vlejë faktori i përgatitjes tonë ushtarakisht dhe të organizohet një strategji e përbashkët për Kosovën se si duhet të pajisen ushtritë tona nëse Kosova ka një fushë të hapur dhe të ketë mjete të blinduara. Ne edhe për shkak të vargmaleve dhe pamundësisë së një fuqie armiqësore, të na sulmojnë nga deti duhet të përgatitemi për brezin e mbrojtjes së maleve ose duhet të rakordojmë një koordinim me Kosovën që mos të kemi më dy ose tre, por 6 në mos 10 batalione taktike me Kosovën. Në momentin që ke 10 batalione taktike ke rreth 10-15 mijë ushtarë profesionistë të vijës së parë pa llogaritur ndihmat që mund të vijnë nga shqiptarët jashtë atdheut. Dhe mendoj që në rast konflikti shqiptarët do i lenë budallallëqet duke sharë vendin e tyre dhe do jenë ndihmë e madhe njerëzore dhe monetare për të mbrojtur atdheun e tyre. Pra nga Mitrovica deri në Konispol dhe në të shkuarën e treguan se batalioni atlantik ishte i përbërë nga djem që vinin nga emigracioni, SHBA-ja, ose vullnetarë që vinin nga Gjermania me një gatishmëri të jashtëzakonshme. Neve na duhet të përgatisim një ushtri profesioniste sepse lufta në Ukrainë tregoi që një ushtri e mirë, profesioniste vlen 10 herë më tepër sesa një ushtri e mobilizimit të përgjithshëm ku ushtarëve u bëhet vetëm 3-4 javë trajnim dhe më pas dërgohen në vijën e frontit. Kjo lloj ushtrie për luftërat moderne të shkatërrimit në masë është shumë problematike, sepse nëse i llogarisim jeta e një ushtari ukrainas dhe një ushtari rus është jo më e gjatë se dy ose tre orë. Pra hidhen në front në orën 8 dhe në orën 11 me një probabilitet, 50 për qind ai është i vdekur. Prandaj kjo është dobësia e një ushtrie që bazohet në mobilizimin e përgjithshëm, ndryshe qëndron puna me një ushtar profesionist. Kjo është ajo që ne mësuam, duhet të investojmë në ushtrinë tonë. Faktori i dytë është faktori amerikan. Mendoj se e vetmja fuqi që do impenjohej dhe me ndihmë ndaj Shqipërisë nuk janë fuqitë evropiane, por SHBA-ja Anglia, Kanadaja. Madje amerikanët mendoj që do impenjoheshin dhe me trupa që tashmë po dislokohen në vendin tonë që nuk varen nga komanda e NATO-s, por varen nga Pentagoni. Lufta në Ukrainë ishte një mësim i madh për ne për të mos fjetur mbi dafina, për të kuptuar që raca njerëzore aq sa është zhvillimi suprem i evolucionit natyror të gjitarëve është dhe lloji i kafshës më të egër sa i përket territorit të vet. Mos harrojmë se çdo kafshë shënjon territorin e vet. Imagjinoni si e shënjon njeriu që ngriti organizma dhe traktate të tëra për të shënuar territorin e vet. Ne jemi një popull që rrethohemi po nga populli jonë, nga shqiptarë. Një fuqi, një Shqipëri, një Kosovë e fortë ushtarakisht, e mirëkoordinuar e mirëorganizuar, është një shtet i cili do respektohet dhe nga Mali i Zi, edhe nga Serbia, Greqia, Maqedonia, Bullgaria. Ka njerëz në Shqipëri që nuk i pëlqejnë shqiptarët e Kosovës, ashtu siç ka shqiptarë të Kosovës që nuk pëlqejnë shqiptarët e Shqipërisë, por e vetmja mënyrë që të bëhemi një shtet i respektueshëm janë numrat. Numrat bëhen duke u bashkuar. Nëse nuk jemi në gjendje që të bëjmë bashkimin faktik, duhet të bëjmë bashkimin praktik. Sepse numrat japin fuqinë, respektin që kanë fqinjët për ty. Nëse dikur na u ndanë tokat, u ndanë se Kosova ishte 500 mijë banorë, ndërsa Serbia 6 milionë banorë. Pra i jepej shumë kollaj një krahinë me 500 mijë banorë një vendi tjetër. Ne ishim 800 mijë dhe Greqia ishte 8 milionë dhe kështu pa problem fare ia dhanë Çamërinë, Greqisë. Ndërsa kur rritesh numerikisht je faktor në gjeopolitikë. Kështu që ne të rritemi numerikisht, të bashkojmë këto numra për të ardhmen.", tha gazetari Dritan Hila në DritareTv./K.C/dritare.net