Na ndiqni edhe në

Editorial

Argitës i takon!

Argitës i takon!

Nga Dritan Hila

Është një shqetësim i pashuar në radhët e ndjekësve të Berishës se kush do ta drejtojë Foltoren, nga momenti që Berisha do të jetë në arrest shtëpie ose në burg. Është një shqetësim i atyre që iu bashkuan me idenë që Berisha do ta hapte partinë dhe korigjonte gabimin që bëri me Bashën.

Është shqetësim edhe i ndjekësve fanatikë të Berishës, ata që janë me të se nuk dinë ku të shkojnë, e kanë fis apo shpresë të fundit për të kapur ndonjë lek.

Berisha ka thënë që do ta drejtojë ai. Për këtë nuk duhet të ketë dyshime. Foltorja është e gjitha e tij. Ndryshe nga PD e cila ishte një krijim i shoqërisë opozitare shqiptare, Foltorja ishte një krijesë totalisht e Berishës. Askush nuk ka të drejtë t'i kërkojë zbatimin e rregullave, konkurencën, ideologjinë apo parimet. PD tashmë është e Lulzim Bashës.

Vula, emri, elektorati që nuk duronte Berishën, gjithçka tashmë janë të Bashës. Kurse Foltorja është e Berishës. Berisha është aksioner i vetëm, CEO, bord drejtues. Është e tij dhe pikë. Ai ka të drejtë se kujt do ia lërë trashëgimi dhe meqënëse e ka vendosur që do ia lërë të bijës, kjo është e drejta e tij.

Natyrisht që kalimi do të jetë gradual derisa veshët e ndjekësve të mësohen me këtë rutinë dhe një ditë të bukur të shohim një fjalim si ai i 2013-ës ku dorëhiqet po këtë radhë ka për të qenë një dorëheqje pa prapamendim; pa hile por me gjithë zemër.

Fundja ia lë njeriut për të cilën çdo qënie njerëzore ka dobësi të veçantë, vajzës. Natyrisht qe do t'i japë këshilla por asnjëherë ta komandojë.

Ose mund të përjetojmë edhe skenarin kur mbetet formalisht në komandë por Argita butë e butë merr drejtimin dhe vendos njerëzit e saj. Secili nga skenarët ka 50% mundësi. Ndërkohë kush ka ndërmend të rrijë aty duhet të mësohet me këtë fakt. Kush lufton për karierë, ose duhet të zërë radhën tek zyra e Argitës ose të shikojë për një punë tjetër pasi 10 vendet e para janë zënë./dritare.net