
Zgjedhjet në Francë/ Macron refuzon ofertën e kryeministres për të dhënë dorëheqjen!
Dritare.net
Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar një ofertë dorëheqjeje nga kryeministrja që ai emëroi, duke thënë në vend të kësaj se qeveria duhet të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë.
Elisabeth Borne u kritikua pasi koalicioni i Macron humbi shumicën e tij të dielën. E ardhmja e saj dukej e kërcënuar pas rezultatit, gjë që e la presidentin nënevojë të siguronte mbështetje nga rivalët. Ai do të takohet me kundërshtarët e tij politikë për bisedime.
Por as e djathta ekstreme e Marine Le Pen dhe as aleanca e majtë-jeshile e Jean-Luc Mélenchon nuk janë të prirur të punojnë me qeverinë qendrore të Macron, e cila është 44 vende larg shumicës dhe që përpiqet dëshpërimisht të shmangë paralizën politike. Pallati Élysée tha se Borne ofroi zyrtarisht të jepte dorëheqjen të martën në mëngjes, duke i dorëzuar një letër zotit Macron, kreut të shtetit, i cili e hodhi poshtë atë.
"Macron refuzoi ofertën në mënyrë që qeveria të mund të qëndrojë në detyrë dhe të veprojë", tha pallati Élysée, duke shtuar se ai do të kërkonte zgjidhje konstruktive për t'i dhënë fund bllokimit që kërcënon axhendën e tij gjatë mandatit të tij të dytë.
Është zakon që kryeministri/kryeministrja e Francës të ofrojë dorëheqjen pas zgjedhjeve parlamentare. Shpesh, presidenti thjesht riemëron të njëjtin person në mënyrë që ai ose ajo të mund të fillojë ndërtimin e një qeverie të re. Por situata është ndryshe këtë herë, pasi Macron po i thotë zonjës Borne të qëndrojë në detyrë me të njëjtin kabinet pa dhënë dorëheqjen. Është ndoshta një përpjekje për të blerë kohë, sugjerojnë analistët, duke shtuar se në një moment, do të formohet një qeveri e re, e cila mund të ketë ose jo zonjën Borne në krye të saj.
Analistët thonë se presidenti mund të shikojë për një marrëveshje me republikanët e krahut të djathtë. Partia konfirmoi se udhëheqësi i saj, Christian Jacob, do të merrte pjesë në bisedime. Por perspektivat për një marrëveshje u shfaqën të zbehta në prag të bisedimeve, pasi Jacob goditi Macron në një intervistë.
“Është ai që është treguar arrogant dhe tani thërret për ndihmë. Ne jemi shumë të qartë në qëndrimin tonë, jemi në opozitë me Emmanuel Macron dhe do të qëndrojmë atje ”, tha ai.
Kreu i Partisë Socialiste Olivier Faure dhe shefi i Partisë Komuniste Fabien Roussel, anëtarë të aleancës së krahut të majtë Nupes, do të takohen gjithashtu me Macron./BBV/M.K/dritare.net

















