Zbulime të reja nga gjyqi që tronditi botën: Dominique Pelicot më mësoi të drogoj gruan, e përdhunuam bashkë
Dritare.net
Franca vazhdon të tronditet nga zbulimet në gjyqin e përdhunimit 10-vjeçar të Giselle Pelicot nga bashkëshorti i saj, i cili e drogoi dhe i solli të panjohur në shtëpinë e saj për ta përdhunuar.
Këtë herë Marechal, i njohur edhe si “studenti” i Dominique Pelicot, dëshmoi në gjykatë dhe përshkroi përdhunimet e gruas së tij, të cilën e drogoi për ta përdhunuar. Marechal, 63 vjeç, akuzohet se ka droguar gruan e tij, 53 vjeç, me këshillën e Pelicot dhe e ka përdhunuar bashkë më te.
Në gjyq, Pelicot pranoi se ishte përdhunues, duke thënë "ashtu si 50 burrat e tjerë" në sallën e gjyqit dhe zbuloi se veprimet e tij ishin rezultat i "mërzisë" pas daljes në pension. Marechal pranoi se e kishte droguar gruan dhjetëra herë që nga 2015-ta deri në 2020-ën kur nisën lëvizjet e para të dyshimta që erdhën pas arrestimit të Pelico-t në vitin 2020, kur autoritetet analizuan provat elektronike nga shtëpia e tij.
Gruaja e Marechal tha se nuk e kishte idenë se po drogohej, ndërsa ai pranoi krimet e tij, duke shtuar se gruaja nuk e la për shkak të fëmijëve të tyre. Në vend të kësaj, Giselle, gruaja e Pelicot, qëndron çdo ditë në gjykatë me vajzën e saj.
Marechal, një shofer kamioni në pension dhe baba i pesë fëmijëve, u përpoq t'ia atribuonte veprimet traumës që pësoi kur ishte fëmijë, duke zbuluar se ai vetë ishte abuzuar seksualisht nga babai i tij. Në deklaratën e tij ai tha se “sot e kuptoj sa e tmerrshme ishte ajo që i bëra gruas sime”, ndërsa shprehu keqardhjen për veprimet e tij.
Edhe pse deklaroi se e donte gruan, ai pranoi se veprimet e tij ishin kriminale dhe e meritonte dënimin. Ai përmendi gjithashtu se ka marrë pjesë në seancat kundër dhunës në familje, duke theksuar se “gratë meritojnë respekt”.
Marechal zbuloi në gjykatë se Pelicot e kishte vizituar shtëpinë e tij dhjetëra herë dhe sillte qetësues për gruan e tij, por droga funksionoi vetëm katër ose pesë herë. Ai e akuzoi Pelicot se e ngushëlloi dhe e inkurajoi të vazhdonte aktet e tmerrshme, por ai mohoi me forcë përdhunimin e Giselle Pelicot, duke thënë se ai thjesht shikonte video që Pelicot kishte ndarë me të.
Pelicot konfirmoi fjalët e Marechal. Ai madje shtoi se ishte i shqetësuar që fëmijët e tyre do t'i kapnin, pasi dikur ata u kthyen në shtëpi më herët se sa pritej. Gjykatës iu shfaqën një sërë mesazhesh të shkëmbyera mes dy të pandehurve, duke treguar marrëdhëniet e tyre intime. Në një nga mesazhet, pasi gruaja e Marechal zgjohet, Pelicot e paralajmëron të mohojë çdo lidhje me të në rast se marret në pyetje nga policia. Marechal u përgjigj se ata do ta provonin përsëri pas tre muajsh, por Pelicot i tha se ishte shumë e rrezikshme.
Gjyqi, i cili pritet të vazhdojë deri në dhjetor, ka tërhequr vëmendjen e publikut, ku 52 të pandehurit përballen me dënime të rënda nëse shpallen fajtorë. Veçanërisht Pelicot përballet me 20 vite burg për veprimet e tij të tmerrshme./K.C/dritare.net