
Strategjia e rimëkëmbjes së Britanisë së Madhe/ Ja plani me 3 hapa!
Dritare.net
Qeveria britanike zbuloi të hënën planin e saj të rimëkëmbjes, në krizën e koronavirusit. Dokumenti i qeverisë, i quajtur "Plani ynë për të rindërtuar: Strategjia e rimëkëmbjes e COVID-19 e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar" është e ndarë në tre hapa të heqjes së kufizimeve. Strategjia e qeverisë britanike synon t’u japë më shumë liri britanikëve, hapen vendet e punës, shkollat, etj
- Hapi 1
Hapi i parë fillon më 13 maj. Njerëzit që mund të punojnë nga shtëpia duhet të vazhdojnë punën në distancë. Ata që nuk munden, siç janë punëtorët në ndërtim dhe prodhim, duhet të udhëtojnë për të punuar. Personat që punojnë në shitje me pakicë janë të përjashtuar nga ky hap. Në sektorët e ekonomisë që do të hapen përfshihen: ato të ushqimit, ndërtimit, prodhimit, logjistika, shpërndarja dhe kërkimi shkencor në laboratorë. Dadot dhe kujdestarët e fëmijëve do të kthehen në punë, duke lejuar nga ana tjetër më shumë prindër të shkojnë në punë. Britanikët do të lejohen të ushtrohen, po kryesisht në natyrë, pasi rreziku i infeksionit jashtë shtëpisë është dukshëm më i ulët se brenda. Por këndet e lojërave dhe palestrat do të rrinë mbyllur. Njerëzit nuk mund të takohen jashtë me më shumë se një person nga familja dhe duhet të respektojnë distancën sociale. Ata do të takojnë më në fund gjyshërit dhe gjyshet, por një nga një. Ndërsa ato çifte që kanë qëndruar larg njëri-tjetrit për më shumë se një muaj e gjysmë më në fund do të mund të takohen, në shtëpitë e tyre, informon dritare.net
Në hapin e parë janë përfshirë edhe udhëtimet nga jashtë. Udhëtarëve që vijnë nga jashtë, në Mbretërinë e Bashkuar do t’u kërkohet të izolohen për 14 ditë. Kur udhëtarët ndërkombëtarë nuk mund të japin një adresë se ku do të karantinohen, do të duhet të akomodohen në vendin që do t’u caktojë qeveria britanike. Këto masa të udhëtimit ndërkombëtar nuk do të hyjnë në fuqi më 13 maj, por sa më shpejt të jetë e mundur.
- Hapi 2
Hapi i dytë do të fillojë jo më shpejt se 1 qershori. Eventet kulturore dhe sportive do të lejohen të zhvillohen me dyer të mbyllura, për të shmangur grumbullimet e njerëzve. Fëmijët do të rikthehen në shkollë, kryesisht ata në vit 1 deri vit të 6, por në mjedise të vogla dhe me pak nxënës.
- Hapi 3
Hapi i tretë do të fillojë jo më shpejt se 4 korriku. Qeveria do të mendojë për të rihapur parukeritë, sallonet e bukurisë, baret, restorantet dhe kishat, etj./K.C/dritare.net

















