
Gënjeu 15 vjet për punësimin e gruas/ Dënohet me burg ish-kryeministri Fillon
Dritare.net
Një gjykatë franceze ka dënuar me 5 vjet burg ish-kryeministrin e Francës, Francois Fillon pasi shpiku një vend pune për gruan e tij, duke përvetësuar fondet publike. Politikani konservator u shpall fajtor sepse i dha Penelope Fillon 831,400 euro, me arsyetimin se për 15 vjet punoi si asistentja e tij, punë që ajo nuk e bëri kurrë. Ai u dënua me pesë vjet burg, tri prej të cilave janë të pezulluara, pra shërbim prove.
Ndërsa gruaja e tij është dënuar me tri vjet shërbim prove. Fillon është figura më e lartë politike franceze që ka marrë një dënim që nga fillimi i Republikës së Pestë në 1958. Skandali siluroi kërkesën e Fillonit për t'u bërë president në 2017-ën, duke i hapur rrugën Emmanuel Macron për të fituar zgjedhjet. Vlerësimet ndaj kandidatit të qendrës së djathtë ranë pas akuzave./K.C/dritare.net

















