Na ndiqni edhe në

Bota

Si e vizatova Edi Ramën gjatë zborit në Mamurras '83. Agim Sulaj tregon skicën e panjohur!

Si e vizatova Edi Ramën gjatë zborit në Mamurras '83. Agim

Në një intervistë për emisionin Dekalog nga Roland Qafoku, mjeshtri i pikturës dhe karikaturës shqiptare, Agim Sulaj ka shpalosur një rrugëtim të jashtëzakonshëm jetësor dhe artistik. I njohur ndërkombëtarisht si 'piktori i valixhes', Sulaj rikthehet në Tiranë jo thjesht për të hapur një ekspozitë, por për të hapur zemrën mbi dekada të tëra krijimtarie, sfidash dhe triumfesh. Biseda nisi me një retrospektivë të fuqishme, duke u ndalur te kopertina ikonike e revistës 'Hosteni' e gushtit 1990, një vepër që parashikoi erën e ndryshimeve demokratike, ku spikaste guximi artistik përballë një regjimi. Sulaj tregoi se si ajo kopertinë nuk ishte thjesht një vizatim, por një klithmë sociale e kohës.

Një pjesë e intervistës iu kushtua largimit të tij drejt Italisë. Ndryshe nga imazhet dramatike të eksodit me anije dhe gomone, Sulaj rrëfeu se ikja e tij ishte një arrati artistike. Ai u largua me traget, i ftuar për një ekspozitë, duke marrë me vete vetëm talentin dhe ëndrrat e tij.

"Unë ika me një valixhe me lapsa, me dyer dhe dritare". u shpreh ai, duke nënvizuar se si arti i tij u bë pasaporta më e vlefshme në Perëndim. Jeta në emigrim dhe suksesi ndërkombëtar nuk e zbehën kurrë lidhjen e tij me Vlorën dhe Shqipërinë, të cilat mbeten muza të përhershme në telajot e tij, qoftë përmes peizazheve të detit, qoftë përmes portreteve të njerëzve të thjeshtë.

Intervista zbuloi detaje të panjohura mbi ciklin e tij historik, veçanërisht mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës. Sulaj tregoi me pasion për pikturën e kokës së prerë të Pashait të Janinës, një vepër që mbart një tension dramatik dhe një histori gati kinematografike të transportimit të saj drejt Greqisë në vitet '90, mes peripecive të kufirit dhe mungesës së mjeteve.

Ai ndau me publikun momentin kur piktura u vlerësua me 2500 dollarë, një shumë marramendëse për kohën, duke shënuar një pikë kthese në karrierën e tij. Kulmi i emisionit rezervoi një surprizë të veçantë, një skicë të vitit 1983, realizuar gjatë zborrit ushtarak në Mamurras. Në të shfaqej kryeministri i sotëm, Edi Rama, në atë kohë student i Arteve, i ulur në gjunjë për të barazuar gjatësinë me shokët e tjerë në rresht.

Kjo dëshmi e rrallë vizuale, e ruajtur me fanatizëm nga Sulaj, solli nota humori dhe nostalgjie, duke dëshmuar për një miqësi të hershme dhe rrugëtime të ndryshme artistike. Përmes karikaturave thumbuese për politikën globale, liderët botërorë dhe plagët sociale si emigracioni, Agim Sulaj dëshmoi se mbetet një vëzhgues i mprehtë i kohës, një artist që, siç thotë ai, 'godet me laps' për të zgjuar ndërgjegje./dritare.net