
Shitja e TikTok/ Trump i kërkon një përqindje të madhe Microsoft
Dritare.net
Pak ditë më parë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump paralajmëroi se do ta ndalojë përdorimin e TikTok-ut në Amerikë. Sot ai është shprehur se, qeveria duhet të marrë një përqindje shumë të madhe të fitimeve, nëse një kompani amerikane e blen aplikacionin më të famshëm e të përdorur të momentit.
Presidenti amerikan tha që bëri kërkesë për një pjesë të konsiderueshme të çmimit të blerjes, gjatë një telefonate në fundjavë me shefin e Microsoft, informon dritare.net. Trump paralajmëroi gjithashtu se do ta ndalojë aplikacionin, i cili është në pronësi të ByteDance të Kinës, më 15 shtator, nëse nuk ka marrëveshje.
ByteDance është nën presion për të shitur biznesin e saj në SHBA, pasi Trump kërcënoi se do të sulmonte kompanitë teknologjike kineze. Administrata Trump ka akuzuar TikTok-un dhe të tjerët për sigurimin e të dhënave për qeverinë kineze, të cilat Pekini dhe TikTok-u i mohojnë.
"Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një përqindje shumë të madhe të këtij çmimi, sepse ne po e bëjmë të mundur këtë aplikacion.", tha Trump./K.C/dritare.net

















