
SHBA konfirmon blerjen dhe dhurimin e 500 milionë vaksinave antikovid përmes COVAX!
Dritare.net
Shtëpia e Bardhë ka shpallur zyrtarisht planet për blerjen e 500 milionë dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër Covid-19 dhe dhurimin e tyre përmes programit Covax të OBSH-së. Ky program shpërndan vaksina në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Në një deklaratë të lëshuar sot nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti amerikan, Joe Biden, do ta shpallë këtë zotim përpara samitit të G7, i cili hap punimet të premten në Kornuoll të Anglisë. Shtëpia e Bardhë e cilësoi këtë plan si “një veprim historik, që do të ndihmojë luftën globale kundër pandemisë”.
Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të blejnë 200 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz, që do të shpërndahen këtë vit, nisur nga muaji gusht. Kontingjenti tjetër prej 300 milionë dozash do të shpërndahet në gjysmën e parë të vitit 2022. Të 500 milionë vaksinat do të jenë Pfizer/BioNTech dhe do të prodhohen në objektet e Pfizer-it në SHBA./dritare.net

















