Një ikonë në drejtësi/Vdes Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë të SHBA-së
Dritare.net
Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë të SHBA-së, Ruth Bader Ginsburg, ka ndërruar jetë në moshën 87 vjeçare. Ginsburg vdiq të premten nga kanceri i pankreasit në shtëpinë e saj në Uashington, e rrethuar nga familja e saj.
Në fillim të këtij viti, Ginsburg tha se i ishte nënshtruar kimioterapive, dhe se kanceri po evoluonte. Ginsburg një feministe e njohur, ishte gjyqtarja më e vjetër dhe gruaja e dytë që u ul në Gjykatën e Lartë, ku shërbeu për 27 vjet.
"Një kampione e palodhur dhe e vendosur për drejtësi", e përshkruajnë kolegët atë.
Ajo ishte një nga katër gjyqtarët liberalë në gjykatë dhe pak ditë para vdekjes shprehu dëshirën, që askush të mos emërohet në vend të saj, para se të shpallet presidenti fitues, pas zgjedhjeve të nëntorit, informon dritare.net.
Por presidenti Trump pritet të emërojë një emër konservator në vend të Ginsburg sa më shpejt të jetë e mundur, thanë burime të Shtëpisë së Bardhë për BBC.
Z. Trump reagoi ndaj vdekjes së Ginsburg pas një tubimi elektoral në Minesota, duke thënë:
"Ajo bëri një jetë të mahnitshme, çfarë mund të thuash tjetër?"
Pse gjykata e lartë amerikane është kaq e rëndësishme?
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të SHBA mund të shërbejnë për tërë jetën ose derisa të vendosin të dalin në pension. Shqetësimi pas largimit të Ginsburg, është se ajo mund të zëvendësohet me një emër konservator.
Gjykata më e lartë në SHBA 'vë vulën', mbi shumë ligje të diskutueshme, për mosmarrëveshjet midis shteteve dhe qeverisë federale.
Në vitet e fundit, gjykata ka lejuar martesën midis homoseksualëve në të 50 shtetet dhe lejoi që të vendoset ndalimi për udhëtime të presidentit Trump, informon dritare.net.
Vdekja e Ginsburg do të ndezë një betejë politike se kush do të vijë në vend të saj, duke nxitur debatin për të ardhmen e Gjykatës së Lartë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Presidenti Trump ka emëruar dy gjyqtarë që nga marrja e detyrës, dhe gjykata aktuale ka një shumicë të gjyqtarëve konservatorë në shumicën e rasteve.
Ginsburg pati një karrierë të gjatë dhe arriti një status të pashembullt për një jurist në SHBA, të respektohej nga liberalët dhe konservatorët njësoj. Lindur nga prindër emigrantë hebrenj në Brooklyn, New York City, në 1933, Ginsburg studioi në Shkollën e Drejtësisë në Harvard, ku ishte një nga nëntë gratë në një klasë me rreth 500 burra.
Ginsburg nuk mori asnjë ofertë të vetme pune pas diplomimit, pavarësisht se ishte më e mira e klasës. Por Ginsburg vazhdoi, duke punuar në punë të ndryshme në profesionin e avokatit, informon dritare.net.
Në 1972, Ginsburg bashkë-themeloi Projektin për të Drejtat e Grave në Unionin Amerikan të Lirive Civile (ACLU). Po atë vit, Ginsburg u bë pedagogia e parë me mandat në Shkollën e Drejtësisë në Columbia.
Në 1980, Ginsburg u emërua në Gjykatën e Apelit të Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Kolumbisë, si pjesë e përpjekjeve të Presidentit të atëhershëm Jimmy Carter për të diversifikuar gjykatat federale.
Ginsburg u emërua në Gjykatën e Lartë nga ish-Presidenti Bill Clinton në 1993, duke u bërë e dyta nga katër gjyqtaret femra që u konfirmuan në gjykatë. Ginsburg u bë një ikonë kombëtare./L.F-dritare.net