NATO ndryshon udhëheqës! Ish-kryeministri i Holandës merr sot detyrën!
Dritare.net
Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, merr drejtimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), sot më 1 tetor. Në ceremoninë që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, Rutte do të marrë postin e Sekretarit të Përgjithshëm, të cilin deri më tani e ka mbajtur Jens Stoltenberg.
Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s zgjidhen me konsensus nga të 32 vendet anëtare. Ruttes iu hap rruga pasi vende si Hungaria, Sllovakia dhe Rumania përkundër hezitimeve fillestare, i dhanë dritën jeshile. Për pozitën u përfolën edhe emra të tjerë, si ai i presidentit rumun, Klaus Iohannis, apo i kryeministres estoneze, Kaja Kallas, por nuk fituan.
Nën Stoltenbergun, i cili mori detyrën e shefit të NATO-s në vitin 2014, aleanca ushtarake u zgjerua me katër anëtarë të rinj: Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Finlandën dhe Suedinë.
Nën udhëheqjen e tij, NATO-ja përforcoi edhe misionin e saj paqeruajtës në Kosovë vitin e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërsa Asambleja Parlamentare e aleancës miratoi avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar./M.K-dritare.net