Ministrat e G7 do të koordinojnë hetimet e krimeve të luftës në Ukrainë!
Dritare.net
Grupi i Shtatë vendeve të pasura demokratike (G7) ra dakord të martën të krijojë një rrjet për të koordinuar hetimet për krimet e luftës, si pjesë e një shtytjeje për të ndjekur penalisht mizoritë e dyshuara në Ukrainë.
"Shqyrtimi gjyqësor i mizorive të kryera në Ukrainë do të zgjasë vite, ndoshta edhe dekada. Por ne do të jemi të përgatitur mirë - dhe do të vazhdojmë për aq kohë sa të duhet," tha në një deklaratë ministri gjerman i Drejtësisë Marco Buschmann.
Ai erdhi pas një takimi të ministrave të drejtësisë të G7 në Berlin, ku morën pjesë gjithashtu prokurorët specialë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, prokurori federal i Gjermanisë dhe ministri ukrainas i drejtësisë Denys Maliuska.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat thanë se vendet e G7 do të sigurojnë që të ketë një pikë kontakti qendrore kombëtare në çdo shtet për ndjekjen penale të krimeve ndërkombëtare.
Buschmann u tha gazetarëve se kjo do të siguronte që informacioni mbi provat dhe kërkesat ligjore të mund të ndahej midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare./US news/M.K/dritare.net