
Meka do të pranojë vetëm pelegrinë të imunizuar gjatë muajit të Ramazanit!
Dritare.net
Nga fillimi i Ramazanit, vetëm myslimanët e imunizuar kundër Covid-19 do të lejohen të kryejnë pelegrinazhin umre, kanë thënë autoritetet Saudite. Ndryshe nga haxhi, pelegrinazhi më i shkurtër i umres dhe nuk është i detyrueshëm dhe mund të kryhet në çdo kohë të vitit.
Ministria e haxhit dhe umres njoftoi se tre kategori njerëzish do të konsideroheshin "të imunizuar": ata që kanë marrë dy doza të vaksinës; ata që kanë marrë një dozë të vetme të paktën 14 ditë para; dhe njerëzit që janë rikuperuar nga virusi.
Vetëm ata njerëz do të kenë të drejtë për leje për të kryer umre, si dhe për të marrë pjesë në lutjet në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës.
Ministria tha se politika hyn në fuqi në fillim të Ramazanit por është e paqartë se sa do të zgjasë. Nuk ishte gjithashtu e qartë nëse politika, e cila vjen në mes të një rritjeje të infeksioneve të koronavirusit në vend, do të shtrihej në haxhin vjetor më vonë këtë vit. Arabia Saudite ka raportuar më shumë se 393,000 infeksione me koronavirus dhe 6,700 vdekje nga Covid-19. Ministria e Shëndetësisë në vend tha se kishte administruar më shumë se 5 milionë vaksina kundër Covid-19 në një vend me një popullsi prej më shumë se 34 milionë banorësh. Muajin e kaluar, mbreti Salman zëvendësoi ministrin e haxhit, muaj pasi mbretëria priti haxhin më të vogël në historinë moderne për shkak të pandemisë. Mbretëria priti haxhin në fund të korrikut të vitit të kaluar. Vetëm 10,000 banorë të Arabisë Saudite u lejuan të marrin pjesë, krahasuar me 2.5 milionë myslimanë nga e gjithë bota që morën pjesë në vitin 2019. Mbetet e paqartë se sa pelegrinë do të lejohen të kryejnë haxhin këtë vit./M.M-dritare.net

















