
Marrëveshja për armëpushim. A është ky fillimi i fundit të luftës!
Dritare.net
Kabineti izraelit do të mblidhet këtë mëngjes për të miratuar armëpushimin dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve me Hamasin. Marrëveshja ka rritur shpresat për përfundimin e pesëmbëdhjetë muajve të luftës. Një armëpushim fillestar gjashtë-javor pritet të fillojë të dielën, por ndërkohë luftimet vazhdojnë ndërsa agjencia mbrojtjes civile të Gazës thotë se të paktën 20 palestinezë janë vrarë që nga shpallja e marrëveshjes të mërkurën në mbrëmje.
Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 251 pengje në Gaza.
Sulmi shkaktoi një ofensivë masive izraelite në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë më shumë se 46,000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Marrëveshja:
Marrëveshja e shumëpritur e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit do të përfshijë tre faza.
Faza e parë do të zhvillohet gjatë gjashtë javëve dhe do të përfshijë lirimin e 33 pengjeve duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Në këmbim, Izraeli do të lirojë të burgosurit palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.
Forcat izraelite gjithashtu do të tërhiqen në lindje larg zonave me popullsi të dendur të Gazës, palestinezët e zhvendosur do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe qindra kamionë ndihma do të lejohen në atë territor çdo ditë.
Në ditën e 16-të të fazës së parë, do të fillojnë bisedimet për fazën e dytë, gjatë së cilës pritet të lirohen pengjet e mbetura dhe trupat izraelitë të tërhiqen plotësisht.
Faza e tretë dhe e fundit do të përfshijë rindërtimin e Gazës dhe kthimin e trupave të mbetur të pengjeve.
Festë pas marrëveshjes
Ndërsa lajmet për marrëveshjen u shfaqën në mediat botërore, fotografitë treguan njerëz që brohoritnin dhe valëvitnin flamuj palestinezë në qytetin qendror të Gazës, Deir al-Balah dhe qytetin jugor të Khan Younis.
Sanabel, një vajzë 17-vjeçare që jeton në veri në qytetin e Gazës, tha për BBC OS: "Të gjithë jemi të kënaqur. Këtë e kemi pritur për një kohë të gjatë. Më në fund do të vendos kokën në jastëk pa u shqetësuar. Është koha për t’u shëruar”.
Naëara al-Najjar, burri i së cilës ishte në mesin e më shumë se 70 personave të vrarë kur forcat izraelite nisën një operacion për të shpëtuar dy pengje, tha: "Pas armëpushimit dua t'u jap fëmijëve të mi një jetë më të mirë. Unë dua që ata të kapërcejnë frikën që jetuam. Fëmijët e mi janë vërtet të frikësuar. Ata jetuan me terror. Është koha e shërimit!”./L.F-dritare.net

















