
Kërcënohet Shtëpia e Bardhë, ja çfarë gjejnë në një zarf!
Dritare.net
Një pako e cila përmbante helm ricin që iu drejtua presidentit të SHBA-së, Donald Trump është gjetur para se të futej në Shtëpinë e Bardhë, thanë zyrtarët për mediet amerikane.
Ata u shprehën se një substancë e gjetur brenda zarfit u identifikua si ricin, helm që gjendet natyrshëm në fasulet e ricinit. Administrata Trump ende nuk ka komentuar mbi këtë raportim. Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Shërbimi Sekret po hetojnë se nga erdhi zarfi dhe nëse të tjerë janë dërguar përmes sistemit postar të SHBA-së, informon dritare.net
Një zyrtar i tha New York Times se hetuesit besojnë se pakoja ishte dërguar nga Kanadaja. Prania e ricinit u konfirmua pas testeve nga FBI.
Ricin prodhohet nga përpunimi i fasuleve të ricinit. Është një substancë vdekjeprurëse që, nëse gëlltitet, thithet ose injektohet, mund të shkaktojë të përziera, të vjella, gjakderdhje të brendshme dhe në fund dështim të organeve. Nuk ekziston asnjë kundërhelm për ricinin. Nëse një person është i ekspozuar ndaj kësaj substance, mund të vdesë për 36-72 orë, në varësi të dozës së marrë./K.C/dritare.net

















