Ja pse Danimarka po i rikthen në shkolla fëmijët deri në 11 vjeç!
Dritare.net
Fëmijët deri në moshën 11 vjeç, në Danimarkë, po kthehen në shkolla dhe çerdhe. Kjo sepse kështu ka vendosur qeveria. Kryeministrja Mette Frederiksen mirëpriti fëmijët të cilët u rikthyen në shkolla, në Kopengahen.
Danimarka është një ndër vendet e para në Europë që vendosi bllokim dhe mbylli shkollat për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Në këtë shtet shkalla e infeksionit është e ulët, por kritikët paralajmërojnë se strategjia që ka zgjedhur qeveria është e rrezikshme.
Vendimi i Danimarkës, për rikthimin e fëmijëve në shkolla, erdhi pasi Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se gradualisht shtetet anëtare të BE duhet të fillojnë me heqjen e masave, edhe pse tha jo menjëherë.
Ajo përcaktoi disa kushte kryesore si rënie e konsiderueshme e rasteve të Covid-19, kapacitetet e sistemeve shëndetësore, mbikëqyrje dhe monitorin.
Danimarka deri më tani ka raportuar 299 vdekje dhe 6,681 raste pozitive, megjithëse shumë më tepër mendohet se janë të infektuar, informon dritare.net.
Gjithashtu është lavdëruar gjerësisht për veprimin e saj të shpejtë në kufizimin e lëvizjes përpara se infeksioni Covid-19 të ishte në gjendje të përhapej në të gjithë popullsinë, duke vepruar pak a shumë si Koreja e Jugut.
Kryeministrja ka thënë se situata në Danimarkë paraqitet mirë dhe se po diskutohet me partnerët politikë sesi të ecin përpara me një lehtësim të mëtejshëm të kufizimeve.
Në një vizitë në një shkollë në zonën Valby të kryeqytetit, Frederiksen, tha që ajo i kupton prindërit që kanë refuzuar të çojnë fëmijët në shkollë. Madje, një prind ishte shprehur se ishte shqetësuar nga frika se autoritetet do të përpiqeshin të zbatonin kthimin në shkollë për fëmijët e familjeve që kishin njerëz me rrezik të lartë nga virusi.
Edhe disa figura politike kanë shprehur shqetësime se udhëzimet që përcaktojnë kush duhet të kthehet në shkollë, janë të paqarta. Vetë shkollat do të vendosin nëse personeli i një kategorie të rrezikuar duhet të jetë në punë ose të qëndrojë në shtëpi./E.B-dritare.net