Na ndiqni edhe në

Bota

Irani proteston për vdekjen e 22 vjeçares, babai trondit me dëshminë e tij!

Irani proteston për vdekjen e 22 vjeçares, babai trondit me

Babai i Mahsa Amini, gruas 22-vjeçare, vdekja e së cilës ka çuar në një valë protestash në të gjithë Iranin, ka akuzuar autoritetet për gënjeshtra. Në një intervistë me BBC Persian, Amjad Amini tha se nuk ishte lejuar të shikonte raportin e autopsisë së vajzës së tij dhe mohoi që ajo të kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore.

Ai tha se dëshmitarët i kishin thënë familjes se ajo ishte rrahur në paraburgim nga policia. Autoritetet iraniane e kanë mohuar këtë.
Mahsa Amini u arrestua pasi dyshohet se ka thyer rregullat për veshjen e hixhabit. Gruaja kurde nga qyteti veriperëndimor i Saqezit, vdiq në spital në Teheran të premten, pasi kaloi tre ditë në koma.

Autoritetet iraniane thonë se zonja Amini nuk u keqtrajtua, por pësoi "dështim të papritur të zemrës" pasi ajo u arrestua në Teheran nga policia morale e vendit.

Irani proteston për vdekjen e 22 vjeçares, babai trondit me

Por zoti Amini tha se vëllai i saj 17-vjeçar, Kiarash, i cili ishte aty kur ajo u ndalua, iu tha se ajo ishte rrahur. Djali im ishte me të. Disa dëshmitarë i thanë djalit tim se ajo ishte rrahur në furgon dhe në stacionin e policisë. Djali im iu lut që të mos e merrnin, por edhe ai u rrah, iu grisën rrobat. Kam kërkuar që të më tregojnë kamerat trupore të oficerëve të sigurimit, më kanë thënë se kamerat nuk kanë bateri. Autoritetet iraniane kanë thënë se zonja Amini kishte veshur rroba jo modeste në kohën e arrestimit të saj.
Zoti Amini, megjithatë, tha se ajo mbante gjithmonë një pallto të gjatë.

Amini tha gjithashtu se ai ishte penguar vazhdimisht nga stafi mjekësor që të shihte trupin e vajzës së tij pas vdekjes së saj.
“Doja të shihja vajzën time, por nuk më lanë të hyja”, tha ai.

Ai tha se kur kërkoi të shihte raportin e autopsisë, mjeku i kishte thënë: “Do të shkruaj çfarë të dua dhe nuk ka të bëjë me ty”.

Deri më tani asnjë informacion në lidhje me autopsinë nuk i ishte dhënë familjes. Babai i saj, Amini e pa trupin e vajzës së tij vetëm pasi ishte mbështjellë për varrim, kur dukeshin vetëm këmbët dhe fytyra e saj.
“Kishte mavijosje në këmbët e saj. Kam kërkuar nga mjekët që të ekzaminojnë këmbët e saj", tha ai.

Në një deklaratë të mëparshme, Mehdi Faruzesh, drejtori i përgjithshëm i mjekësisë ligjore të provincës së Teheranit, tha: "Nuk janë vërejtur shenja lëndimesh në kokë dhe fytyrë, asnjë mavijosje rreth syve ose fraktura në bazën e kafkës së Mehsa Amini".
Autoritetet thanë gjithashtu se nuk kishte shenja të lëndimeve të brendshme.

Amini kritikoi gjithashtu pretendimet se vajza e tij kishte probleme shëndetësore që mund të kishin kontribuar në vdekjen e saj.
Drejtori i përgjithshëm i mjekësisë ligjore në provincën e Teheranit tha se zonja Amini kishte bërë një operacion në tru në moshën 8-vjeçare. Ata po gënjejnë, ajo nuk ka qenë fare në asnjë spital në 22 vitet e fundit, përveç disa sëmundjeve të lidhura me të ftohtin.
Ajo kurrë nuk kishte ndonjë gjendje mjekësore, ajo kurrë nuk kishte bërë një operacion", deklaroi mes të tjerash babai i saj.

Sipas familjes së saj, zonja Amini duhej të fillonte studimet në universitet javën e ardhshme. Udhëtimi i tyre në Teheran do të ishte pushimi i saj i fundit përpara se të fillonte kursi.
"Ajo donte të studionte mikrobiologji, donte të bëhej mjeke. Kjo ishte një ëndërr që nuk u realizua kurrë. Nëna e saj është shumë e sëmurë, të gjithëve na mungon. Dje do të kishte ditëlindjen e saj të 23-të", tha nëna e saj./BBC/Xh.Xh/dritare.net