
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshon urdhër-arrest për Vladimir Putinin!
Dritare.net
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar dy urdhër-arreste për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren e tij për të Drejtat e Fëmijëve.
Në një deklaratë, ICC-ja thotë se Putin akuzohet për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të fëmijëve, nga Ukraina në Rusi.
Në deklaratë thuhet se, ka arsye për të besuar se Presidenti Putin mban përgjegjësi individuale penale për dëbime të tilla, duke shtuar se dyshohet se ka ndodhur që kur ai filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e kaluar.
Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat për mizori gjatë pushtimit të Ukrainës.
Kremlini thotë se nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe se nuk ka asnjë detyrim ndaj saj.
Duke iu përgjigjur urdhrit të arrestit kundër Putinit, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse thotë se ky urdhër nuk ka asnjë rëndësi.
“Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale nuk kanë asnjë kuptim për vendin tonë, përfshirë edhe nga pikëpamja juridike. Rusia nuk është palë e Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk ka asnjë detyrim. Rusia nuk bashkëpunon me këtë organ dhe urdhrat për arrestim që vijnë nga Gjykata Ndërkombëtare do të jenë ligjërisht të pavlefshme për ne.”/K.C/dritare.net

















