Europa drejt një mbylljeje të dytë, por çfarë po ndodh vërtet me pandeminë!
Dritare.net
Evropa është zhytur në valën e dytë të epidemisë së koronavirusit. Shkalla e infeksionit po rritet në nivele alarmuese në të gjithë kontinentin. Qeveritë po vendosin rregulla të rrepta dhe ekonomitë duket se po shkojnë sërish drejt mbylljes. Por, mesa duket ka një shpresë, virusi megjithëse është ende vdekjeprurës, duket se mesatarisht niveli mesatar i vdekjeve është drejt rënies.
Shifrat e fundit të rasteve të pasqyruara nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, tregojnë se ndërsa rastet e regjistruara me Covid-19 po rriten me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Spanjë, Gjermani dhe në vendet e tjera evropiane, vdekjet në fakt nuk po rriten me të njëjtin ritëm.
“Në Mbretërinë e Bashkuar, shkalla e vdekshmërisë ka rënë ndjeshëm dhe kjo vihet re më tepër nga qershori deri në shtator “, sipas ekspertëve. “Shkalla e vdekshmërisë po rritet pak, por nuk ka arritur deri afër nivelit që ishte më parë, dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshojë në mënyrë të shpejtë nëse nuk shohim një rritje të papritur në numrin e vdekjeve”, kanë deklaruar më tej ekspertët, informon dritare.net.
Kërkimet e ekspertëve dhe statistikat e tyre tregojnë se në fund të qershorit, shkalla e vdekshmërisë ishte më pak se 3% në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa deri në gusht, ajo kishte rënë deri në rreth 0.5%. "Ne mendojmë se ndoshta është nxitur shumë nga mosha, por edhe faktorë të tjerë, si trajtimi," tha Oke, njëri nga ekspertët.
Në New York, niveli i vdekshmërisë për ata që janë të shtruar në spital me sëmundje të lidhura me Covid-19, gjithashtu ka rënë, sipas rezultateve të fundit të publikuara nga një ekip studiuesish në “NYU Grossman School of Medicine”, botuar në “Journal of Hospital Medicine”.
Numri i të rinjve të shëndetshëm që po infektohen është drejt rritjes. Pse ndodh kjo?
Arsyeja më e qartë për numrin më të ulët të vdekjeve është mosha. Vala e parë e pandemisë goditi veçanërisht të moshuarit në Evropë, duke u përhapur në spitale apo shtëpi kujdesi për të moshuarit , por kjo ka ndryshuar gjatë verës, me virusin që qarkullon më gjerësisht midis të rinjve që shkojnë në restorante, bare dhe vende të tjera publike. Mosha mesatare e atyre që infektohen në të gjithë Evropën ra nga 54% gjatë periudhës nga janar-maj, në 39% në qershor dhe korrik. Numri i personave të moshuar që infektohen me koronavirus në Evropë është duke u rritur sërish dhe ky është një lajm vërtet i keq. Të moshuarit përballen me një rrezik shumë më të lartë nëse infektohen, kështu që një shpërthim që prek një shtëpi të kujdesit të të moshuarve ka të ngjarë të jetë shumë më vdekjeprurës sesa një në një kolegj të rinjsh.
Në fakt, të dhënat e mbledhura nga studiuesit lidhur kjo me përgjigjet e kujdesit afatgjatë të “London School of Economics”, për grupin Covid-19 tregojnë se, mesatarisht, 46% e të gjitha nga ky virus në 21 vende ndodhën pikërisht në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se në disa vende, përfshirë Belgjikën, Irlandën, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përqindja e banorëve të shtëpive të kujdesit të të moshuarve, vdekjet e të cilëve ishin lidhur me koronavirusin ishte më e lartë se 4% në disa raste. Kjo do të thotë që më shumë se një në 25 persona në këto shtëpi kujdesi ka ndërruar jetë pikërisht sepse ishte i infektuar me Covid-19.
Me rritjen e infektimit te të rinjtë, niveli i përgjithshëm i vdekshmërisë ka rënë, por kjo nuk do të thotë që vetë virusi është bërë më pak vdekjeprurës. Nëse ky i fundit fillon të përhapet gjerësisht te të moshuarit, shkalla mund të rritet edhe një herë. Kjo situatë po ndodh në disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, ku edhe është bërë studimi nga ekspertët për shkallën e vdeshmërisë nga Covid-19.
"Ndryshimi në “agresivitetin” e sëmundjes Covid-19 është me të vërtetë i lidhur me shkaqet imune individuale që lidhen me moshën, gjininë, etninë dhe disa kushte të mëparshme mjekësore," ka deklaruar Julian Tang, profesor në universitetin e Leicester-it, në Londër.
Trajtimet po bëhen më të mira
Ndryshimi demografik mund të ketë kontribuar në uljen e numrit të vdekjeve, por ekspertët dyshojnë se fakti që ofruesit e kujdesit shëndetësor tani janë më me përvojë në trajtimin e pacientëve me Covid-19 është një faktor tjetër i rëndësishëm.
Virusi Covid-19 mbetet një sëmundje e rrezikshme, por përpjekjet tona për të përmirësuar trajtimin ndoshta po funksionojnë", tha autori kryesor i studimit NYU Dr. Leora Horwitz, profesor në departamentin e Shëndetit Publik në “NYU Langone Health”.
Mënyra e trajtimit të pacientëve me koronavirus gjithashtu ka ndryshuar. Ventilatorët, të cilët u përdorën në filllim të pandemisë, tani përdoren më pak sepse mjekët kanë mësuar më shumë se si ato mund të dëmtojnë mushkëritë e pacientëve me Covid-19. Nga ana tjetër, vendosja e pacientëve me fytyrë poshtë, është bërë më e zakonshme pasi është treguar se ndihmon në rritjen e sasisë së oksigjenit që futet në mushkëritë e disa pacientëve. Statistikat tregojnë se njerëzit që përfundojnë në një spital në Mbretërinë e Bashkuar po përmirësohen më shpejt dhe kanë rezultate më të mira.
Qendra Kombëtare e Auditimit dhe Kërkimit të Kujdesit Intensiv zbuloi se pacientët e infektuar me Covid-19 të trajtuar në njësitë e kujdesit intensiv në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut pas 1 shtatorit kishin shanse shumë më të mira për të mbijetuar sesa ata të trajtuar më parë. Rreth 12% e pacientëve kanë ndërruar jetë që nga fillimi i shtatorit, krahasuar me periudhën nga fillimi i pandemisë deri në gusht, kur kjo përqindje arrinte deri në 39%.
"Kjo tregon që punonjësit e kujdesit shëndetësor dinë tani çfarë të bëjnë, ose ndoshta pacientët po paraqiten me simptoma më të lehta," ka thënë një nga autorët e studimit.
Dhe megjithëse nuk ka ende një kurë me “plumb argjendi” për koronavirusin, ka disa mundësi trajtimi që duket se ndihmojnë disa pacientë. “Remdesivir antiviral” është aprovuar “US Food and Drug Administration”për trajtimin e Covid-19.
Në fillim të tetorit, një studim botëror i sponsorizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë zbuloi se “Remdesivir” nuk i ndihmonte pacientët të mbijetonin apo të shëroheshin më shpejt, por një studim në SHBA zbuloi se ilaçi shkurtoi kohën e shërimit për një pjesë të vogël të pacientëve.
“Dexamethasone”, është përdorur për disa nga pacientët me Covid-19 të cilët duhet të kishin ventilator ose oksigjen, pasi provat tregonin se kjo mund të rriste shanset e tyre për të mbijetuar.
Çështjet e të dhënave dhe testimit
Ndërsa rënie e nivelit të vdekshmërisë duket inkurajuese, ka shumë paralajmërime që nuk duhen anashkaluar. Niveli i vdekshmërisë me Covid-19 llogaritet si numri i vdekjeve nga numri i përgjithshëm i infeksioneve, që do të thotë se është i saktë vetëm nëse numrat themelorë pasqyrojnë vërtet realitetin dhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe.
Në fillim të pandemisë, testimi nuk ishte i disponueshëm për të gjithë dhe vetëm ata që ishin të sëmurë rëndë u testuan.
"Nëse provoni vetëm rastet simptomatike, mund të nënvlerësohet numrin e infektuarve nëse përqindja e infektuarve asimptomatikë është e madhe," tha Tang, duke shtuar se disa studime sugjerojnë që deri në 60% deri 70% të rasteve të Covid-19 mund të jenë asimptomatike.
Rreziku kryesor, shtoi Tang, është se testimi më i përhapur te të rinjtë, të cilët preken më pak, mund të maskojë shkallën e vdekshmërisë në ata që janë më të moshuar.
"Të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike ende do të vdesin nga ndërlikimet e lidhura me Covid-19 , por kjo mund të mos vihet nëse të gjitha grupmoshat me COVID-19 ekzaminohen së bashku.
Shkalla e vdekshmërisë gjithashtu ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Sipas një vlerësimi nga universiteti “Johns Hopkins”, vdekshmëria në mesin e 20 vendeve më të prekura tani varion nga 10% në Meksikë në 0.8% në Republikën Çeke. Kjo është pjesërisht për shkak të qasjeve të ndryshme për të llogaritur rastet e tyre me Covid-19. Ndërsa disa paraqesin vetëm infeksione të vërtetuara nga laboratori, të tjerët përfshijnë raste të dyshuara që janë të paprovuara.
Një tjetër çështje është vonesa në kohë. "Diferenca në kohë midis asaj që mendojmë se njerëzit po infektohen dhe kur mund të ndërrojnë jetë, mesatarisht është rreth tri javë, por ajo që po shohim është se shkalla e vdekshmërisë po qëndron më e ulët edhe pasi infeksionet e mëparshme janë rritur ", ka përfunduar studimi./M.M-dritare.net