Na ndiqni edhe në

Bota

Erdogan i zemëruar tërheq mbështetjen për Suedinë: Nuk hyn në NATO!

Erdogan i zemëruar tërheq mbështetjen për Suedinë: Nuk

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi Suedinë që të mos presë mbështetje nga Turqia për t’ u bërë pjesë e NATO- s, pas djegies së Kuranit jashtë ambasadës së Ankarasë në Stokholm.

Ajo që zemëroi më së shumti Ankaranë ishte fakti se Rasmus Paludan – një politikan suedezo-danez, veprimet anti-islamike të të cilit vitin e kaluar nxitën trazira në Suedi, e kishte marrë lejen nga autoritetet për të organizuar një protestë para Ambasadës turke në kryeqytet.

Tubues kurdë në Suedi dogjën më herët këtë muaj një kukull me pamjen e Erdoganit, por djegia e librit të shenjtë të myslimanëve, e shtoi më tepër revoltën e tij.

“Djegia e Kuranit ishte një fyerje për të gjithë, veçanërisht për myslimanët. Është e qartë se ata që lejuan një turp të tillë përpara dyerve të ambasadës tonë në këtë vend, nuk mund të presin më asnjë dashamirësi prej nesh lidhur me aplikimin e tyre”, tha Erdogan.

Suedia aplikoi për anëtarësim në NATO pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por që kërkesa e saj të pranohet duhet dhe aprovimi i Turqisë, si anëtare e aleancës ushtarake perëndimore.

Erdogan kushtëzon pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO me ekstradimin e personave që kanë qenë sipas tij, pjesë e grusht-shtetit të dështuar ushtarak të vitit 2016./A.ZH-dritare.net