Cilat vende mund të jenë në shënjestër të Trump pas Venezuelës?
Dritare.net

BBC
Presidenti amerikan Donald Trump po i jep formë mandatit të tij të dytë përmes një qasjeje agresive në politikën e jashtme, duke ringjallur doktrina historike dhe duke lëshuar paralajmërime të forta ndaj disa shteteve në hemisferën perëndimore dhe më gjerë.
Pas një operacioni spektakolar gjatë natës në Karakas, ku forcat amerikane kapën presidentin e Venezuelës dhe bashkëshorten e tij nga një kompleks i fortifikuar, Trump përmendi Doktrinën Monroe të vitit 1823, të cilën e riemërtoi si “Doktrina Donroe”, duke theksuar supremacinë e SHBA-së në rajon.
Grenlanda, territor autonom i Danimarkës, u përmend si një objektiv strategjik për sigurinë kombëtare amerikane. Trump deklaroi se SHBA “ka nevojë për Grenlandën”, duke përmendur praninë ruse dhe kineze në Arktik, si dhe pasuritë e saj me minerale të rralla. Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, e hodhi poshtë këtë ide, duke e quajtur “fantazi” çdo përpjekje për aneksim.
Në Kolumbi, Trump lëshoi kërcënime të drejtpërdrejta ndaj presidentit Gustavo Petro, duke e akuzuar për tolerim të karteleve të drogës. Ai la të hapur mundësinë e një operacioni amerikan, pavarësisht se Kolumbia ka qenë historikisht aleate e SHBA-së në luftën kundër drogës.
Edhe Irani u përfshi në paralajmërimet e presidentit amerikan. Trump tha se SHBA do të reagojë “shumë ashpër” nëse autoritetet iraniane vazhdojnë shtypjen e protestave antiqeveritare. Kërcënimet vijnë pas sulmeve të vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe tensioneve të vazhdueshme me Izraelin.
Me Meksikën, Trump përsëriti akuzat për dështim në ndalimin e trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm, duke sugjeruar se SHBA “do të duhet të bëjë diçka”. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka përjashtuar çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në territorin e vendit të saj.
Ndërkohë, për Kubën, Trump u shpreh se ndërhyrja ushtarake nuk është e nevojshme, pasi regjimi atje, sipas tij, është “gati të bjerë”, veçanërisht pas rrëzimit të aleatit kryesor të Havanës, Venezuelës.
Deklaratat e fundit të Trump tregojnë një administratë të vendosur për të përdorur presion politik, ekonomik dhe ushtarak për të rikonfiguruar balancat e fuqisë në rajon dhe përtej tij./L.F-dritare.net