
Situata e paprecedentë e energjisë në Evropë do të përkeqësohet gjatë këtij dimri në hemisferën veriore, duke rritur gjasat e racionimit të energjisë dhe ndërprerjes së punës së termocentraleve, paralajmërojnë analistët e kësaj industrie.
Me rritjen e çmimeve të gazit natyror, që i ka bërë prodhuesit dhe familjet të përballen me fatura në rritje, disa janë të shqetësuar se sistemi i integruar energjetik i Bashkimit Evropian mund të kolapsi, me shtetet anëtare të bllokut që mundohen të mbajnë për vete sasinë e furnizimeve që kanë, duke shkaktuar një tjetër grindje të shëmtuar politike brenda BE-së.
Thierry Bros, nprofesor në Institutin Sciences Po në Paris dhe ish-ekspert i naftës dhe gazit në Ministrinë franceze të Ekonomisë, dyshon se kjo situatë mund të jetë e lidhur me qëndrimin e Kremlinit për të mos shpërndarë furnizimet shtesë të gazit natyror për klientët e BE-së. Ai thotë gjithashtu se zyrtarët rusë po kërkojnë të provokojnë mosmarrëveshje politike midis 27 vendeve anëtare të bllokut mbi furnizimin me energji dhe prodhimin e energjisë.
"Unë mendoj se kjo është ndoshta arsyeja pse Kremlini po e nxit pak më shumë këtë krizë energjetike," tha ai në një podcast për Natural Gas World, një faqe interneti e pavarur kushtuar çështjeve globale të gazit. "Ne kemi një mekanizëm të bashkuar brenda BE-së, kështu që jemi në gjendje të mbyllim industritë diku për t'u siguruar që banorët të jenë të ngrohtë në shtëpitë e tyre diku tjetër," tha ai.
Në kohë normale gjithçka funksionon pa probleme me mekanizmin e përbashkët energjetik të BE-së, i cili i jep përparësi familjeve mbi prodhuesit, thotë zoti Bros, i cili përfaqësoi Francën në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, ose IEA. Megjithatë, ai paralajmëron se gjatë muajve të ftohtë të ardhshëm, "mund të shohim një zbatim shumë të vështirë të këtij mekanizmi të përbashkët". Si shembull, ai pyet: "A do të mbyllim disa industri franceze për të ngrohur gjermanët? Apo do të mbyllim disa industri gjermane për të ngrohur francezët?"
Gjigandi energjetik i kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, është akuzuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe ligjvënësit evropianë se nuk kanë bërë qëllimisht sa duhet për të rritur furnizimet me gaz natyror në Evropë. Në një postim në Twitter të marten, zoti Bros vuri në dukje, "Për nëntorin, eksportet ditore të gazit nga tubacionet ruse në Evropë janë deri më tani në rënie me 14% kundrejt tetorit", që në vetvete ishte një muaj rekord i ulët.
Pavarësisht Moskës, Evropa ende do të përballet me një krizë të çmimeve të energjisë falë kërkesës globale dhe prodhimit më të ulët se sa pritej të energjisë diellore dhe të erës. Në Britani, më shumë se gjashtë furnizues të gazit natyror kanë falimentuar në dy muajt e fundit, si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit dhe një kufizimi qeveritar mbi atë se sa mund ta kalojnë këtë rritje tek konsumatorët. Konsumatorët britanikë do të përballen me rritje të çmimeve deri në disa qindra dollarë për familje. Zyrtarët britanikë po shqyrtojnë t’u japin disa prej kompanive më të mëdha britanike të shitjes me pakicë të energjisë hua të mbështetura nga shteti për t'i ndihmuar të kapërcejnë krizën e çmimeve.
Vendet anëtare të BE-së janë të ndara se cila duhet të jetë përgjigja e tyre kolektive ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, me disa vende që duan një rregullim rrënjësor rregullator dhe të tjerët që e kundërshtojnë fuqishëm një gjë të tillë.
Spanja ka mbrojtur reforma të gjera. Ministrja e Energjisë e vendit, Sara Aagesen Muñoz, ka bërë thirrje për një "përgjigje evropiane". Të tjerë besojnë se shtetet anëtare duhet të krijojnë mjetet e tyre juridike të brendshme. Më shumë se 20 shtete anëtare kanë, ose po planifikojnë, mbështetje të drejtpërdrejtë të të ardhurave, ndihmë shtetërore dhe ulje të taksave për të ndihmuar bizneset dhe familjet e tyre t'i mbijetojnë stuhisë së çmimeve dhe mungesës së furnizimit./voa

















