
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.7 ballë ka goditur Ekuadorin pasditen e së shtunës. Për momentin raportohet se janë 12 viktimat dhe qindra të plagosur. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së regjistroi epiqendrën e tërmetit në rajonin bregdetar të Guayas, rreth 80 kilometra në jug të Guayaquil i cili është qyteti i dytë më i madh në vend. Tërmeti është ndjerë edhe në veri të Perusë. Goditja u regjistrua në orën 17:00 me orën lokale (23:00 në Shqipëri) në komunën ekuadoriane Balao, rreth 140 kilometra nga porti i Guayaquil dhe në një thellësi prej 44 kilometrash. Instituti Sizmologjik i SHBA-së vlerësoi një magnitudë prej 6.7 ballë të shkallës Rihter, ndërsa autoritetet sizmologjike peruane e vlerësuan atë me 7.0 ballë.
Pasgoditjet janë paralajmëruar dhe Instituti Oqeanografik dhe Antarktik i Marinës Ekuadoriane ka siguruar që goditja "nuk i plotëson kushtet e nevojshme për të gjeneruar një cunami" në Paqësor . Peruja dhe Ekuadori ndodhen në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, një zonë kryesore e aktivitetit sizmik përgjatë bregut perëndimor të kontinentit amerikan.
Sipas BBC, ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Ekuadorin që nga viti 2016, kur rreth 700 njerëz vdiqën dhe mijëra u plagosën./A.ZH-dritare.net

















