Na ndiqni edhe në

Aktualitet

Nga Berati në Kanada me dy fëmijë! Si ndryshoi jeta jonë, kur burrit i dolën maskat dhe e grabitën!

Nga Berati në Kanada me dy fëmijë! Si ndryshoi jeta jonë,

Sot në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv sjellim një histori sa të bukur, aq frymëzuese dhe të trishtë. Kjo është historia e Valentina Mukës, gruas nga Berati që nuk u dorëzua kurrë përballë pabesive të jetës. Valentina, një grua me shpirt solar, erdhi në Shqip për të treguar kalvarin e vuajtjeve dhe arritjeve të saj, luftën për të bërë realitet ëndrrën e madhe, të çonte familjen e saj në Kanada. Pasi i morën nga duart ëndrrën për Amerikën, falë një ndihme të vogël Valentina kërkoi një ëndërr të re, e gjeti dhe e realizoi me çdo kusht sepse kishte vetëm një synim, të ikte nga Shqipëria e pas ‘97-ës bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj. Bashkëshorti i saj nuk e preku dot ëndrrën kanadeze, pasi ndërroi jetë nga një infarkt i shkaktuar nga një ngjarje tronditëse që i shënjoi jetën, kur maskat i grabitën 40 mijë dollarët që i kishte fituar me mund e me djersë. Kjo ngjarje i hoqi besimin në çdo gjë, madje edhe besimin te jeta, duke bërë që javë më vonë të ndërronte jetë. Pas kësaj tragjedie në jetën e saj, Valentinës iu hap një derë për ta çuar te ëndrra. Vetëm me dy fëmijët adoleshentë, 6 valixhe me vete, disa fjalë në anglisht, Valentina u nis drejt Kanadasë për të provuar aventurën e jetës.

Nga Berati në Kanada me dy fëmijë! Si ndryshoi jeta jonë,

Edhe atje nuk ishte e lehtë, si çdo fillim i ri, sidomos për një grua 46-vjeçare, vetëm me dy fëmijët e saj adoleshentë. Ama Valentina ia doli, shkoi në Kanada, shkolloi fëmijët, u shkollua vete, u bë edukatore dhe nuk hoqi kurrë dore nga kurset. Për pak ditë ajo mbush 65 vjeçe, moshën e pensionit në Kanada dhe do të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Të shkojë në shkollë, për të mësuar si të shkruajë libra në anglisht, sepse tanimë e kemi një libër në shqip, Valentina që na tregon “Udhët e Evës”. Ndiqeni historinë e Valentinës!


“Unë erdha në Kanada në vitin 2001, kur isha 46 vjeçe, vetëm me dy fëmijët adoleshentë dhe 6 valixhe. Bashkëshorti im kishte pak kohë që kishte ndërruar jetë. Im shoq ishte mësues fizkulture. Ai punonte dhe si kambist. Një ditë midis Beratit dhe Tiranës, kur vinte për të këmbyer valutën kishte me vete 40 mijë dollarë. I dolën maskat me armë dhe ia morën të gjitha lekët. Ishte koha pas 1997-ës. Ai u shokua nga ai veprim. Që atëherë humbi besimin në gjithçka. Një natë tetori im shoq ndërroi jetë nga një infarkt. Që kur grabitën tim shoq, unë mora në dorë fatin e familjes sime. Kjo ishte erdhe arseja pse doja të vija në Kanada. Unë kisha aplikuar për vizën kanadeze dhe gjatë kësaj periudhe tragjike prisnim përgjigje. Para se të aplikoja për vizën kanadeze, në ‘98-ën, mua më doli e drejta për të fituar lotarinë amerikane, për të shkruar në Amerikë, por korrupsioni në Shqipëri i gjen të gjitha skutat. Me emrin tim shkoi dikush tjetër dhe ne u kthyem. Ata paguan lekë në dorë dhe morën vizat. Ne shkonim në ambasadë për 17 ditë rresht dhe na thoshin që ka kaluar radha. Pastaj morëm vesh që dikush tjetër kishte shkuar me emrin tonë. Me një vizë të thjeshtë pastaj erdha në Kanada. E fitova intervistën për në Kanada. Doja ta fitoja intervistën sepse fëmijët e mi sapo kishin humbur babanë dhe unë humba bashkëshortin. Desha ta fitoja vetëm që t’u jepja fëmijëve këtë kënaqësi. Dhe ia arrita. Kur erdha në Kanada thashë e fitova betejën. Por këtu më priste një betejë akoma më e madhe. Muajt e parë flinim në dysheme me batanije sepse mbanim lekë për të ngrenë bukë. Unë gjeta shkollën për anglisht poshtë pallatit që ishte pa lekë dhe iu futëm mësimit. Në vitin 2009, përfundova me sukses studimet në një nga kolegjet me prestigjioze në Toronto, "Seneca", për edukatore kopshti. Që prej atij viti e në vazhdim punoj edukatore kopshti, përgjatë miliona emigrantëve, nga gjithë vendet e botës. Unë kam ndjekur një program "Toastmaster International Program", ku mora disa certifikata, për metoda kompetente të komunikimit në niveli leader, apo mentor. Unë në shkollë e gjej veten. Puna më pëlqen, ama në shkollë gjej veten. Të jem nxënëse në shkollë, të dëgjoj mësuesit, të mësoj gjëra të reja. Kjo jam unë. Javës tjetër mbush 65 vjeçe, mbush moshën e pensionit këtu në Kanada dhe po mendoj të regjistrohem në një kurs se si të shkruajmë libra.
Veç leximit të vazhdueshëm, një hob i krijuar kohët e fundit është fusha e përkthimit. Në kohën e lirë unë kam përkthyer novelën e parë. "Një burrë që qan", përmbledhje poezish "Magji hëne", si dhe romanin "Fizarmonika nuk do të luajmë nesër".”, rrëfen Valentina për gazetaren Rudina Xhunga./K.C/dritare.net