Tragjedi në Shkodër, digjet banesa në Domen! Humbin jetën nëna dhe dy fëmijët e saj të vegjël
Dritare.net

Një ngjarje tragjike është shënuar në fshatin Domen të Shkodrës, ku një banesë është përfshirë nga flakët dhe është shkrumbuar plotësisht, duke i marrë jetën një gruaje dhe dy fëmijëve të saj të mitur, të moshës 1 dhe 3 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Plisht të fshatit Domen, në njësinë administrative Postribë. Pas shuarjes së zjarrit, trupat e pajetë të nënës dhe dy fëmijëve janë gjetur mes rrënojave të banesës, e cila u dogj plotësisht.
Sipas informacioneve paraprake, familja jetonte në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik. Mësohet se nëna kishte shkuar së bashku me dy fëmijët në shtëpinë e prindërve të saj në fshatin Domen për ta pastruar, kur, për shkaqe ende të paqarta, banesa u përfshi nga flakët.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e zjarrit, ndërsa pritet ekspertiza që do të përcaktojë se çfarë e shkaktoi këtë tragjedi./dritare.net