Tragjedi në Manëz, tre të rinj humbin jetën në aksident, dy të plagosur
Dritare.net

Tre të rinj kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë në një aksident tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Manëz të Durrësit. Aksidenti ndodhi rreth orës 02:22, në rrugën dytësore në Manëz. Sipas policisë, drejtuesi i automjetit, 25-vjeçari K. V., humbi kontrollin mbi makinën dhe u përplas me një bordurë betoni. Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e automjetit dhe dy pasagjerët, 26-vjeçaren S. B. dhe 15-vjeçarin A. M., të cilët humbën jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, dy pasagjerë të tjerë, 25-vjeçari R. V. dhe 16-vjeçari K. D., mbetën të plagosur. Ata u nisën drejt Tiranës për ndihmë mjekësore të specializuar. Sipas policisë, 16-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Paraprakisht dyshohet se të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në zonën e Maminasit dhe se automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi. Automjeti ishte shkatërruar pothuajse plotësisht nga përplasja, ndërsa në rrugë kanë mbetur pjesë të automjetit.
Policia ka larguar makinën me karrotrec, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të dokumentuar ngjarjen dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe shkaqet e aksidentit./K.C/dritare.net