Na ndiqni edhe në

Sport

Shqipëria ngec në Riga/ Barazim zhgënjyes 1-1 ndaj Letonisë dhe ëndrra e Botërorit vihet në pikëpyetje

Shqipëria ngec në Riga/ Barazim zhgënjyes 1-1 ndaj Letonisë


Me një paraqitje të zbehtë, pa qartësi në lojë dhe me mungesë vendosmërie në momentet vendimtare, Shqipëria nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 kundër Letonisë në Riga, në ndeshjen e katërt të Grupit K kualifikues për Kupën e Botës 2026. Ky rezultat, më shumë se sa një pikë e fituar, përfaqëson një rast të humbur për të forcuar pozitat drejt ëndrrës së madhe – një vend në finalet që do të luhen në SHBA, Kanada dhe Meksikë.


Kuqezinjtë hynë në fushë me pretendime të qarta për fitore, por u përballën me një skuadër letonase të vendosur dhe agresive. Avantazhi erdhi në minutën e 29-të, kur mbrojtësi leton Antonijs Černomordijs devijoi një top në portën e vet, duke i dhënë Shqipërisë epërsinë. Por i njëjti futbollist, në fundin e pjesës së parë (45+4’), u shfaq në zonën shqiptare për të barazuar shifrat me kokë, pas një goditjeje këndi.

Në pjesën e dytë, Shqipëria dominoi në posedim por pa rrezikshmëri të vërtetë. Lodhja dhe mungesa e ideve të freskëta në sulm bënë që rezultati të mos ndryshojë deri në fund. Madje, vendasit patën disa raste të rrezikshme që mund t’i kishin lënë kuqezinjtë edhe pa këtë pikë të vetme.

Një barazim që nuk i shkon për shtat objektivave të Shqipërisë, e cila tashmë e sheh veten në një pozitë delikate në renditje. Mungesa e qartësisë taktike, gabimet individuale dhe forma e dobët fizike e disa lojtarëve shtojnë pikëpyetjet mbi vazhdimësinë e këtij rrugëtimi kualifikues.

Në ndeshjet e ardhshme, kuqezinjtë do të duhet jo vetëm të korrigjojnë gabimet, por edhe të rikthejnë shpirtin luftarak që ka karakterizuar skuadrën në momentet e saj më të mira. Nëse duan ta mbajnë gjallë shpresën për “Amerikën e Madhe”, do të duhet shumë më tepër se sa u pa sot në Riga./K.C/dritare.net