
Shorti i Kupës së Botës 2026 do të mbahet të premten, më 5 dhjetor, në Qendrën Kennedy të Washingtonit, në orën 18:00 sipas orës shqiptare. Eventi pritet të shoqërohet me fjalime dhe materiale promovuese të FIFA-s.
Botërori 2026 do të ketë 48 ekipe (nga 32 më parë) dhe do të zhvillohet për herë të parë në SHBA, Kanada dhe Meksikë, nga 11 qershor deri më 19 korrik. Ekipet janë ndarë në katër vazo me nga 12 skuadra; vazoja 1 përfshin tre vendasit dhe nëntë ekipet më të mira të renditjes së FIFA-s.
Shorti do të formojë 12 grupe me nga një ekip nga secila vazo. Kualifikohen dy të parët e çdo grupi plus tetë vendet e treta më të mira, duke krijuar fazën me 32 skuadra. Formati sjell një raund të ri eliminimi (1/16), kështu që kampioni do të duhet të luajë tetë ndeshje.
Vazot janë të ndara sipas renditjes së FIFA-s, ndërsa gjashtë ekipet e fundit do të përcaktohen nga play-off-et e marsit 2026, ku Shqipëria do të përballet me Poloninë në Varshavë dhe Kosova me Sllovakinë në Bratislavë./K.C/dritare.net