
Federata Angleze e Futbollit me rregulla të reja/ Ndëshkohet kollitja e qëllimshme!
Dritare.net
Pandemia pothuajse ka ndryshuar plotësisht sjelljet tona. Rregulla të reja janë shtuar në përditshmërinë tonë, por edhe në futboll.
Herë pas here institucionet zyrtare të futbollit kanë komunikuar rregulla të reja për të siguruar shëndetin e lojtarëve.
Së fundmi ka qenë Federata Angleze e Futbollit që ka vendosur rregulla të reja. Lojtarët që kolliten me qëllim drejt kundërshtarëve ose gjyqtarëve do të ndëshkohen me karton të kuq ose të verdhë, sipas rregullave të reja të Federatës Angleze të Futbollit.
Instruksionet ndaj gjyqtarëve që do të marrin drejtimin e ndeshjes kur masat kundër COVID-19 janë në fuqi, do të aplikohen në të gjitha nivelet e ndeshjeve.
"Duhet të ndërmerren veprime kur gjyqtari është i sigurt që dikush me qëllim dhe nga afërsia ka kollitur në fytyrën e një kundërshtari ose të një zyrtari të ndeshjes", thuhet në komunikimin zyrtar të Federatës Angleze të Futbollit./R.P/dritare.net

















