Ethet e ndeshjes, Kosova drejt Botërorit! Flet Ernest Koçi
Dritare.net

Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë, që zhvillohet mbrëmjen e sotme në orën 20:45, është një nga përballjet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTV, gazetari sportiv Ernest Koçi e cilësoi këtë sfidë si historike, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë futbollin shqiptar.
Sipas Koçit, interesi për këtë përballje ka qenë jashtëzakonisht i madh, ndërsa në Kosovë prej disa ditësh diskutohet vetëm për këtë ndeshje. Ai theksoi se Turqia hyn si favorite në këtë sfidë, por arma më e fortë e Kosovës mbetet motivimi, disiplina dhe dëshira për të bërë histori.
“Kosova ka treguar në ndeshjet e fundit një grintë të jashtëzakonshme. Është një skuadër që luan me zemër dhe që mund të surprizojë. Kualifikimi në një kampionat botëror do të ishte një moment historik për vendin,” u shpreh Koçi.
Ai shtoi se për Turqinë kjo ndeshje ka peshë të madhe, pasi kombëtarja turke kërkon rikthimin në Kupën e Botës pas 24 vitesh mungesë. Sipas tij, Turqia ka lojtarë me eksperiencë të lartë ndërkombëtare, si Arda Güler, Kenan Yildiz, Hakan Çalhanoglu dhe Merih Demiral, që mund të bëjnë diferencën në fushë.
Nga ana tjetër, edhe Kosova ka elementë cilësorë, me Fisnik Asllanin dhe Vedat Muriqin që pritet të udhëheqin repartin ofensiv. Megjithatë, mungesa e kapitenit Amir Rrahmani për shkak dëmtimi konsiderohet një goditje për përfaqësuesen e Kosovës.
Interesi i tifozëve për këtë ndeshje ka qenë i jashtëzakonshëm. Sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, janë regjistruar rreth 500 mijë kërkesa për bileta, ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” ka kapacitet rreth 14 mijë spektatorë.
Koçi theksoi gjithashtu se presioni më i madh bie mbi Turqinë, ndërsa Kosova hyn në këtë ndeshje pa shumë detyrim, por me dëshirën për të bërë histori.
“Turqia është favorite dhe ka më shumë eksperiencë, por Kosova ka zemrën dhe mbështetjen e tifozëve. Parashikoj një ndeshje shumë të fortë dhe një rezultat të ngushtë,” u shpreh ai.
Sa i përket rezultatit, Koçi u tregua realist, duke parashikuar një fitore minimale për Turqinë, por theksoi se dëshira e tij mbetet një triumf i Kosovës dhe një kualifikim historik në Kupën e Botës.
Ndeshja Kosovë–Turqi pritet të zhvillohet në një atmosferë elektrizuese në Prishtinë, ndërsa interesimi i tifozëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora mbetet tepër i madh për këtë përballje vendimtare./K.C/dritare.net