
Shqipëria do të përfshihet këtë të diel nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira dhe intervale kthjellimesh. Reshjet e shiut do të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në disa zona priten edhe shtrëngata afatshkurtra.
Sipas parashikimit, reshjet do të nisin që në orët e para të ditës, me intensitet të ulët deri mesatar. Në veriperëndim dhe jugperëndim të vendit, shiu pritet të jetë më intensiv në momente të caktuara, i shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe, lokalisht, me breshër.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore mund të shfaqen sërish shtrëngata të shkurtra.
Gjithashtu, në momentet e reshjeve mund të krijohet mjegullinë ose mjegull e dendur në zona të caktuara.
Era do të fryjë nga juglindja dhe lindja, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, në lugina dhe në zonat malore, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 16 m/s.
Në det pritet valëzim me forcë 3–4 ballë./dritare.net