
Rrëfehet një histori bullizmi: Më përbuznin, aq sa arrita të mendoja vetëvrasjen!
Dritare.net
Mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, është trajtuar historia e Paolës vajzës nga Lezha, e cila për shumë kohë ka rënë pre e bullizmit në shkollë dhe shoqëri. Mamaja e Paolës, Liljana, ka rrëfyer historinë e së bijës. Ajo shumë vite më parë ishte njohur me babain e Paolës martuar me të. Disa kohë më vonë, kishin nisur konfliktet dhe debatet derisa ai kishte filluar të ushtronte dhunë fizike mbi të. Liljana ka rrëfyer se dhuna e vazhdueshme ndaj saj dhe së bijës, ishte bërë e padurueshme, deri sa ajo kishte vendosur që të divorcohej.
Gjendja ekonomike e familjes, puna që bënte e ëma, ndarja nga jeta e babait, mënyra e jetesës, ishin disa arsyet e bullizimit nga shoqëria e saj. Sipas Liljanës, Paola nuk kishte mundur që t’a përballonte dot gjithë këtë presion të ushtruar ndaj saj dhe fatkeqësisht kishte menduar që t’i bënte keq vetes.
Liljana në “Dua të të bëj të lumtur”, i ka treguar të bijës se nuk është vetëm, dhe se nuk duhet të dëgjojë çfarë thonë të tjerët.
Nga ana tjetër Paola ka rrëfyer: “Kam rënë pre e bullizmit shumë e vogël dhe u lëndova shumë. Më lëndonin, më përbuznin për fatkeqësitë që më kishin ndodhur në jetë. Pavarësisht përpjekjeve të mia që ata të ndalonin, kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Jeta më dukej e kotë, sepse askush nuk po më përkrahte, aq sa arrita të mendoja vetvrasjen.”
E ftuara surprizë për Paolën ishte këngëtarja Mariza Ikonomi e cila shumë vite më parë kishte përjetuar të njëjtën situatë. “Ne në jetë zhgënjehemi nga shumë njerëz, por kurrë mos e humb besimin në vetvete. Teksa dëgjoja historinë tënde m’u kujtua vetja ime, sepse dhe në fillimet e mija njerëzit më paragjykonin për zërin, por sot e shoh si një veçanti, prandaj kurrë mos hiq dorë!”/M.M-dritare.net

















