
Ardit Gjebrea ka një mesazh në “Kënga Magjike”!
Dritare.net
Mbrëmjen e djeshme ka startuar nata e parë e festivalit të “Kënga Magjike”, ku, krahas Ardit Gjebreas, moderimi iu besua edhe aktores Olta Beqiri dhe moderatores Eva Murati, të cilat dhuruan emocione në natën tërësisht të dedikuar muzikës.
Në skenën e “Pallatit të Kongreseve” u ngjitën emra të njohur të muzikës shqiptare, por edhe të huaj. Pjesë ishin edhe konkurrentët e kategorisë “New Artist”, të cilët kanë ndarë me publikun ndjesitë dhe emocionet për realizimin e ëndrrës së tyre për të shkelur skenën e madhe të “Kënga Magjike”.
“Është emocion shumë i bukur. Mjafton fakti që ti del në skenë, ke atë ndjesinë e dridhjes së gjunjëve, ke atë pasigurinë ‘a kam zërin apo s’e kam zërin’. Kjo ndodh në ‘Kënga Magjike’ sepse është një festival i investuar për ne, një festival që realisht nuk mungon asgjë, me një standard shumë të lartë edhe unë u mundova që ta kënaqja veten time në maksimum”,- është shprehur Mateus Frroku, i përfaqësuar me këngën “Tjetër”
Krahas këngëve dhe performancave, Gjebrea gjeti kohën të përcillte dhe një mesazh, nisur dhe nga slogani i festivalit “Feel the energy”.
Pas përfundimit të performancës së vajzave Le Deva me këngën “GiuraGiuda”, moderatori nuk ka lënë pa përmendur situatën e luftës Rusi-Ukrainë që ka prekur Evropën.
“Nuk dua të sjell trishtim, por meqenëse ishim në kategorinë “International”, doja vetëm të ndaja disa fjalë si njeri. Vargu i trishtimit për disa vite u bë paksa i gjatë. Teksa ne shijojmë ditët, familjen, kohën dhe gjithçka që na ka falur Zoti, oshëtimën e një lufte në mes të Europës, e ndiejmë vetëm në ekonominë tonë. Por janë fëmijë, familje, qytete të tëra që kanë për tik-tak të kohës së tyre oshëtimën e raketave. Trishtim që viti 2022 sjell përsëri ulërima dhe makabritete sundimi. Nëse do doja një slogan për situatën në botë sot, me siguri do të ishte, ‘Please, feel the God” (ju lutem, ndieni Zotin).’/dritare.net

















